Nga platforma Liria ka Emër kanë njoftuar se do t’i zhvillojnë disa aktivitete gjatë muajve të ardhshëm, duke theksuar se angazhimi i tyre do të vazhdojë deri në kthimin e çlirimtarëve në vendin e tyre.

Ndër të tjera, ata kanë theksuar se do të realizojnë një peticion në të gjitha komunat e Kosovës kundër vendimit të Gjykatës Speciale për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Ne do të fillojmë me një peticion kështu fizik nëpër të gjitha komunat, ashtu qysh kemi shkuar për zbulimin e orës që numëron mbrapsht, edhe kështu do të shkojmë me shtande, ku në mënyrë simbolike do të mbledhim nënshkrimet që pretendojmë që ta kalojnë gjysmë milionin”, ka thënë Ismail Tasholli nga Liria ka Emër.

Ai tregoi se ky aktivitet pritet të zgjasë disa muaj dhe që ato nënshkrime do t’i dërgojnë në institucione ndërkombëtare.

“Po kjo është punë e shtrirë në muaj, ndoshta 3-4 muaj e më shumë, për t’i dërguar ato nënshkrime në mënyrë simbolike në Bruksel, Strasburg dhe në Hagë, sepse ata po thirren në emrin e popullit dhe nëse ia çojmë dokumentacionin e popullit, ata thonë diçka tjetër”, deklaroi ai.

Përpos kësaj, ai paralajmëroi edhe protesta të tjera.

Më 16 shtator, ish-krerët e UÇK-së u dënuan me rreth 1 shekull burgim.

Ata u dënuan me 81 vjet burgim gjithsej.

Gjykata Speciale e ka dënuar ish-Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, me 25 vjet burgim.

Trupi Gjykues në Gjykatën Speciale e ka dënuar ish-Kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, me 25 vjet burgim.

Specialja e ka dënuar ish-Kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, me 18 vjet burgim.

Gjykata Speciale e ka dënuar ish-deputetin e Kuvendit të Kosovës, Rexhep Selimi, me 13 vjet burgim.