Më 16 shtator, kur Gjykata Speciale do të shpallë aktgjykimin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), do të vendoset për historinë e Kosovës, ka thënë nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku.

Përmes një postimi në Facebook, Çitaku theksoi se Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi nuk janë në burg si përfaqësues të partive të tyre politike, por si përfaqësues të UÇK-së.

“Nuk është në burg Hashim Thaçi i PDK-së. Në burg është Hashim Thaçi i UÇK-së. Hashim Thaçi i Kosovës. Nuk është në burg Kadri Veseli i PDK-së. Në burg është Kadri Veseli i UÇK-së. Kadri Veseli i Kosovës. Nuk është në burg Jakup Krasniqi i PDK-së. Në burg është Jakup Krasniqi i UÇK-së. Jakup Krasniqi i Kosovës. Nuk është në burg Rexhep Selimi i VV-së. Në burg është Rexhep Selimi i UÇK-së. Rexhep Selimi i Kosovës”, tha Çitaku.

Në burg, thekson ajo, “është UÇK-ja”. “Historia jonë. Lufta jonë për liri. Një pjesë e pandashme e asaj që jemi sot”.

Prandaj, konsideron Çitaku, më 16 shtator nuk vendoset vetëm për fatin personal të katër burrave. “Vendoset për historinë tonë. Për të vërtetën e luftës sonë. Për mënyrën se si brezat që vijnë do ta lexojnë dhe do ta kuptojnë rrugën e Kosovës drejt lirisë”.

Sepse, pohon nënkryetarja e PDK-së, “historia që ua lëmë fëmijëve tanë është po aq e rëndësishme sa e ardhmja që ndërtojmë për ta”. “Më 16 shtator, përtej partive e dallimeve tona, është Kosova”.