Pentagoni publikoi të premten atë që i quan “dosje të papara më parë” mbi UFO-t, pasi presidenti Donald Trump urdhëroi agjencinë që ta bënte këtë më herët gjatë këtij viti.
Paketa e dokumenteve përshkruan hetime të ndryshme mbi raportimet për Fenomene Ajrore të Paidentifikuara, që shtrihen përgjatë disa dekadave.
“Populli amerikan tani mund të ketë akses të menjëhershëm në dosjet e deklasifikuara të qeverisë federale për UAP,” shkroi departamenti në X, duke iu referuar fenomeneve të pazakonta të paidentifikuara (UAP), termi modern për UFO-t.
“Videot, fotografitë dhe dokumentet origjinale më të fundit mbi UAP nga e gjithë qeveria e Shteteve të Bashkuara janë tani në një vend të vetëm – pa nevojë për autorizim sigurie”.
Departamenti i Mbrojtjes tha se do të “publikojë materiale të reja gradualisht, sapo ato të zbulohen dhe deklasifikohen, me grupe dokumentesh që do të publikohen çdo disa javë.”
Pentagoni tha se disa nga materialet ishin publikuar më parë nga FBI, por versionet e bëra publike të premten kishin më pak pjesë të censuruara. Ky ishte rasti i një dosjeje të madhe të FBI-së me qindra faqe që përshkruanin “dëshmi të dëshmitarëve okularë dhe raportime publike” mbi UFO-t mes viteve 1947 dhe 1968.
Dokumente të tjera të publikuara të premten përmbanin raportime shumë më të fundit.
Dosjet përfshijnë memorandume të brendshme ushtarake që përshkruajnë “një UAP të vogël të mundshëm” në Irak në vitin 2022, si edhe “shkëlqime ose drita të shumta me origjinë të panjohur” të vërejtura në Siri në vitin 2024. Trupat amerikane ishin të stacionuara në Irak dhe Siri gjatë asaj periudhe si pjesë e operacioneve të vazhdueshme kundër ISIS-it.
Ka gjithashtu raportime të fundit nga trupat amerikane në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe në Greqi.
Faqja e Pentagonit ku u publikuan dokumentet e reja përmban një paralajmërim ku thuhet se “gjuha përshkruese dhe vlerësuese” në këto memorandume ushtarake pasqyron “interpretimin subjektiv” të personit që ka shkruar raportin – dhe për këtë arsye “nuk duhet të interpretohet si tregues përfundimtar” i asaj që ka ndodhur realisht.
Dosjet përfshijnë gjithashtu raportime nga astronautët në misionin Apollo 12 në vitin 1969, deri te raportime më të fundit nga zyrtarë të ndryshëm të zbatimit të ligjit ose të qeverisë.
Gjatë misionit Apollo 12, ulja e dytë me njerëz në Hënë, një nga astronautët, Alan L. Bean, raportoi te qendra e kontrollit të misionit se po shihte “shkëndija drite” që thjesht “po lëvizin në hapësirë.”
“Duket sikur disa prej atyre gjërave po largohen nga Hëna”, tha astronauti. “Ato largohen me shpejtësi nga këtu dhe vazhdojnë drejt yjeve”.
Tre vjet më vonë, gjatë misionit Apollo 17 në vitin 1972, dy astronautë raportuan se kishin parë grimca drite “shumë të ndritshme”, raporton CNN.
“Është si festa e 4 Korrikut atje jashtë!” tha njëri prej tyre, piloti i modulit hënor Harrison “Jack” Schmitt.

Astronautët hodhën teorinë se dritat mund të kishin ardhur nga copa akulli.
Interesi dhe spekulimet për jashtëtokësorët u ringjallën në shkurt pasi ish-presidenti Barack Obama tha në një podcast se alienët janë “realë, por unë nuk i kam parë.” Ai më vonë sqaroi komentet e tij, duke thënë: “Nuk pashë asnjë provë gjatë presidencës sime që jashtëtokësorët kanë vendosur kontakt me ne”.
Menjëherë pas kësaj, Trump, në një postim në Truth Social, urdhëroi Pentagonin dhe agjencitë e tjera përkatëse që të “nisin procesin e identifikimit dhe publikimit të dosjeve qeveritare që lidhen me jetën aliene dhe jashtëtokësore, fenomenet ajrore të paidentifikuara (UAP) dhe objektet fluturuese të paidentifikuara (UFO).”
Të premten, administratori i NASA-s, Jared Isaacman, përgëzoi Trump për “përpjekjen për të sjellë më shumë transparencë për popullin amerikan lidhur me fenomenet anomale të paidentifikuara”.
“Ne do të vazhdojmë të jemi të sinqertë për atë që dimë se është e vërtetë, për atë që ende nuk e kuptojmë dhe për gjithçka që mbetet për t’u zbuluar”, tha Isaacman në një postim në X. “Eksplorimi dhe kërkimi i dijes janë në thelb të misionit të NASA-s, ndërsa përpiqemi të zbulojmë sekretet e universit”.
Trump shkroi në Truth Social të premten se këto dokumente u japin njerëzve mundësinë të “vendosin vetë: ‘ÇFARË DREQIN PO NDODH?’”
“Argëtohuni dhe kënaquni!” tha presidenti.









