Kur Jimi Hendrix jetonte në një apartament bohem në Londër në vitet 1960, ai kishte pak nevojë për kuzhinën e tij, pasi ushqimet ia sillnin nga Mr Love, një restorant modern në katin përdhes të ndërtesës së tij.

Teksa personazhe të famshme ishin poshtë, duke u shërbyer nga kameriere me pantallona të shkurtra të ngushta, muzikanti amerikan i rock-ut ishte lart, duke shijuar biftekë dhe hamburgerë.

Faturat për ato vakte – që janë në mesin e një arkivi të madh materialesh të papara, që lidhen me jetën dhe muzikën e Hendrix – do të ekspozohen për herë të parë në 23 Brook Street, ndërtesa gjeorgjiane në Mayfair ku ai jetoi dhe që tani është muze.

Ato janë pjesë e një koleksioni që sjell në jetë një kitarist, këngëtar dhe kompozitor që revolucionarizoi mundësitë shprehëse dhe shpërthyese të kitarës elektrike, në muzikë që përziente rock-un, soul-in, blues-in dhe jazz-in. Klasikët e tij të mëdhenj përfshijnë Purple Haze, Foxy Lady dhe All Along the Watchtower. Ai vdiq në vitin 1970, vetëm 27 vjeç, pas një mbidoze të dyshuar.

Shumë nga dokumentet që do të ekspozohen për herë të parë janë regjistrat korporativë të Anim Records, kompania që menaxhonte Jimi Hendrix Experience dhe artistë të tjerë. Ato përfshijnë gjithçka, nga kontratat te kalendarët, regjistrimet e performancave historike dhe detajet e fluturimeve, si edhe faturat për pajisjet muzikore që ndihmuan në formësimin e tingullit të tij novator.

Ndërsa themeluesi i saj, Mike Jeffery, ishte zyrtarisht menaxheri i Hendrix, punët e përditshme menaxhoheshin nga asistentja e tij personale, Patricia “Trixie” Sullivan, tani 83 vjeçe. Midis viteve 1966 dhe 1973, ajo rezervonte sesione në studio regjistrimi, organizonte itinerare dhe negocionte kontrata, ndërsa gjithashtu shoqëronte muzikantët në turne në mbarë botën.

Pas vdekjes së Jeffery-t në vitin 1973, ajo mblodhi materiale që përmbaruesit kishin lënë pas, pasi hynë në zyrën e tij në Londër, duke qenë më të interesuar për mobiljet.

Ajo i mbajti të gjitha në katër arka plastike poshtë shtratit të saj në Spanjë. Kur u kthye në Mbretërinë e Bashkuar, për shkak se shëndeti i saj po përkeqësohej, nipi i saj, Jonathan Garcia Sullivan, i ruajti ato në kasollen e tij në Dorset.

Tani materiali ka frymëzuar një ekspozitë që do të hapet muajin e ardhshëm në Handel Hendrix House, një muze në shtëpitë reale të dy prej muzikantëve më të mëdhenj që kanë jetuar ndonjëherë në Londër – George Frideric Handel, i cili jetoi në 25 Brook Street nga 1723 deri në 1759, dhe Jimi Hendrix, që jetoi në numrin 23, midis viteve 1968 dhe 1969. Hapësira e Mr Love tani është një dyqan mode.

Handel Hendrix House – i quajtur shtëpia e “Baroque ‘n’ Roll” – ka blerë shumë nga eksponatet e ekspozitës së ardhshme me mbështetjen e National Lottery Heritage Fund.

Apartamenti që Hendrix ndante me të dashurën e tij Kathy Etchingham është rikrijuar me përpikëri. Ai dikur e përshkroi atë si të vetmin vend ku ndihej vërtet si në shtëpi. Pikërisht aty ai priste dhe bashkëpunonte me ikona të tjera të rock-ut britanik të viteve 1960. Në shkallët drejt apartamentit të tij, George Harrison thuhet se duhej të kalonte sipër njërit prej miqve të Hendrix, i cili ishte alivanosur rrugës për te dalja.

Eksponatet e reja përfshijnë letra, leje pune dhe fatura pastrimi kimik për një kostum me vija dhe një xhaketë të artë, mes rrobave të tjera, si edhe fatura telefoni që arrijnë në dhjetëra mijëra paund.

Claire Davies, kuratorja e ekspozitës dhe zëvendësdrejtoresha e Handel Hendrix House, thotë se faturat dhe dokumentet e tjera “tregojnë një histori shumë të rëndësishme të këtij momenti të vogël familjar në jetën e Hendrix”.

“Ai pati një fëmijëri shumë të vështirë dhe më pas, gjatë karrierës së tij katërvjeçare kur jetonte në Londër, ai rrinte me njerëz të tjerë ose në hotele. Kështu që, kur ishte këtu në 23 Brook Street, ishte i vetmi vend që ai e quante shtëpi dhe i vetmi vend ku emri i tij ishte në faturat e qirasë”.

“Për të mobiluar apartamentin e tij, ai bleu qilima persianë luksozë, që sot do të vlente rreth 30,000 paund, sipas faturave. Është një pasqyrë shumë interesante se si dukej jeta e tij përtej imazhit të yllit të rock-ut gjatë këtij momenti të shkurtër, por edhe se si mund të kishte qenë nëse do të kishte jetuar pak më gjatë”.

Sullivan i tha nipit të saj se Hendrix “ishte mjaft introvert” dhe “dyshonte shumë te vetja”, dhe se ai luante gjithmonë kitarë kur ajo vizitonte apartamentin e tij.

Ekspozita do të hapet më 19 qershor në 23 Brook Street.