Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës dhe kandidati i kësaj partie për kryeministër, Bedri Hamza, ka vizituar krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të cilët po gjykohen në Hagë. Përmes një postimi në llogarinë e tij zyrtare në Facebook, Hamza tha se “ndjen padrejtësitë që po u bëhen atyre në procesin në Gjykatën Speciale”.
“Ky proces tani po shkon drejt fundit dhe presim që fundi të jetë i drejtë. Zvarritjet nuk i shërbejnë askujt: as drejtësisë, as Kosovës dhe as bashkësisë ndërkombëtare. Muret në Hagë nuk mund ta burgosin të vërtetën dhe idealin e Hashim Thaçit, Kadri Veselit dhe shokëve të tyre. I gjeta mirë me shëndet dhe plot entuziazëm për bashkimin tonë. Ata i shërbyen Kosovës me sakrificë dhe sot qëndrojnë të fortë, me kokën lart”, shkroi mes tjerash Hamza.
Procesi gjyqësor kundër Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit është në fazën finale. Në fillim të 2026-ës do të jepen fjalët përfundimtare të palëve gjersa verdikti pritet gjatë muajve prill ose maj.