U2 janë rikthyer me EP-në e tyre të dytë të vitit 2026 – “Easter Lily”. Ky projekt me gjashtë këngë vjen pas EP “Days of Ash” të muajit të kaluar dhe përfshin një bashkëpunim të ri me Brian Eno.

Ndërsa “Days of Ash” përbëhej kryesisht nga këngë të dedikuara aktivistëve që vdiqën, përfshirë Renée Good dhe këshilltarin palestinez të dokumentarit “No Other Land”, Awdah Hathaleen, “Easter Lily” trajton më drejtpërdrejt tema personale.

Kënga hapëse e EP-së – “Song for Hal”, i dedikohet mikut dhe producentit të ndjerë të U2, Hal Willner, i cili vdiq në vitin 2020 nga komplikime të shkaktuara nga COVID-19. Titulli është një referencë ndaj albumit të vitit 1978 “Easter” të Patti Smith, për të cilin Bono tha në një deklaratë për opinionin se i dha “aq shumë shpresë” kur e dëgjoi për herë të parë në moshën 18-vjeçare.

“Është një kohë që na bën si grup të gërmojmë më thellë në jetët tona për të gjetur një burim këngësh që përpiqen të përballen me momentin… Me ‘Easter Lily’ përfunduam duke bërë pyetje shumë personale, si: A janë marrëdhëniet tona në lartësinë e këtyre kohëve sfiduese? Sa fort lufton për miqësinë? A mund të mbijetojë besimi ynë nga shtrembërimi i kuptimit që algoritmet aq shumë e shpërblejnë? A është gjithë feja kot dhe prapë na përçan…? Apo, ka përgjigje për t’u gjetur në thellësitë e saj? A ka ceremoni, rituale, valle që mund të na mungojnë në jetët tona?”, deklaroi Bono.

Brian Eno prodhoi këngën përmbyllëse të albumit – “Coexist (I Will Bless the Lord at All Times?)”, të cilën grupi e shkroi për prindërit e fëmijëve që rriten në zona lufte.

Të dyja EP-të paraprijnë një album të ri ende pa titull nga grupi, i cili publikoi albumin e tyre më të fundit të plotë “Songs of Surrender”, në vitin 2023. Albumi i ri pritet të dalë në fund të vitit 2026.

“Ne jemi në studio, ende duke punuar drejt një albumi të zhurmshëm, të çrregullt, ‘të paarsyeshëm shumëngjyrësh’ për t’u luajtur live… që është vendi ku jeton U2. Ne ende i drejtohemi rock-ut të gjallë si një akt rezistence kundëre gjithë kësaj shëmtie në ekranet tona të vogla. Këto janë pa dyshim ‘vite të shkretëtirës’ për shumë prej nesh që shohin kaosin që po ndodh në botë. Do të përpiqemi të bëjmë bujë dhe spektakël në një moment tjetër për t’i kujtuar pjesës tjetër të botës se ekzistojmë, por ndërkohë… kjo është mes jush dhe nesh”, deklaroi Bono.