Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka dalë në konferencë për media pas ndërprerjes së seancës konstituive të Kuvendit, pasi ai nuk propozoi emër për kryetar të Kuvendit.

Kurti ka deklaruar se LVV-ja i ka votat për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, por sipas tij, konstituimi pa një marrëveshje politike për zgjedhjen e presidentit do ta çonte vendin drejt zgjedhjeve të reja.

“Çfarëdo konstituimi i Kuvendit, pa marrëveshje politike që do të garantonte qëndrimin në sallë dhe votimin për Presidentin e Republikës, pashmangshëm do të na shpinte tek zgjedhjet e reja”, tha Kurti.

Ai theksoi se gjatë orëve të fundit ka zhvilluar takime dhe ka komunikuar me liderët e partive politike, duke insistuar që përpjekjet për marrëveshje të vazhdojnë.

Kurti tha se zgjedhja e presidentit nuk është përgjegjësi vetëm e Vetëvendosjes dhe se për këtë nevojitet një marrëveshje më e gjerë politike.

Ai u bëri sërish thirrje liderëve të PDK-së, LDK-së dhe AAK-së, Bedri Hamzës, Lumir Abdixhikut dhe Ardian Gjinit, që të takohen dhe të arrijnë një marrëveshje politike për tejkalimin e situatës.

“Edhe një herë u bëj thirrje kryetarit të PDK-së, Bedri Hamza, kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, kryetarit të Aleancës, Ardian Gjini, që të bisedojnë duke u takuar dhe, duke u takuar, të merren vesh, të bëjnë marrëveshje politike për rrugën e përbashkët përpara”, tha Kurti.