Serbia ka thënë këtë të marte se ka arrestuar një ish-pjesëtar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, me inicialet A.Q, i lindur në vitin 1973.

Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë ka pretenduar se i arrestuari, si pjesëtar i UÇK-së, dyshohet se gjatë luftës në Kosovë ka kryer veprën penale të “organizimit të një grupi dhe nxitjen për kryerjen e gjenocidit dhe krimeve të luftës”.

Në njoftimin e MPB-së serbe pretendohet se i arrestuari, në prill të vitit 1998, i ishte bashkuar shtabit lokal të UÇK-së për fshatin Romaj të Hasit, komuna e Prizrenit. Ai akuzohet edhe se si pjesëtar i brigadës 138 “Agim Ramadani”, kishte marrë pjesë në sulmin ndaj postës kufitare serbe në Koshare në vitin 1999.

Të arrestuarit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë, derisa kanë theksuar se në prokurorinë kompetente ndaj tij do të dorëzohet një kallëzim penal.