Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë ka njoftuar se ka arrestuar një person në pikëkalimin kufitar me Hungarinë, Horgosh, i dyshuar, siç pretendojnë ata, për “krime lufte kundër popullsisë civile”.

MPB-ja serbe nuk ka treguar shtetësinë e të arrestuarit, por ka thënë se inicialet e tij janë M.M., i lindur në vitin 1981.

Ata pretendojnë se i arrestuari dyshohet që “e ka kryer këtë krim kundër T. S. dhe S. S. më 26 korrik 1999, në qytetin Kllobukar të Kosovës”.

Autoritetet serbe theksuan se arrestimi u krye nga pjesëtarë të Shërbimit për Zbulimin e Krimeve të Luftës, në bashkëpunim me Shërbimin për Luftimin e Terrorizmit dhe Policinë Kufitare.

Të dyshuarit i është caktuar mbajtja në paraburgim deri në 48 orë, pas së cilës do të dërgohet në Zyrën e Prokurorit Publik për Krime Lufte, së bashku me një kallëzim penal.

Të dielën, avokati Arianit Koci, shkroi në Facebook se edhe një qytetar i Kosovës u ndalua nga autoritetet serbe.

Koci theksoi se ndalimi i tij u bë rreth orës 22:30. Sipas tij, ai është shtetas i Kosovës me emrin Mentor Mustafa, 44-vjeç, nga fshati Jasenovik, Komuna e Novobërdës.

Në momentin e ndalimit, Koci pohoi se ai ishte duke udhëtuar me autobus nga Stuttgarti drejt Kosovës, së bashku me vëllain e tij, Fejzullah Mustafën.

“Sipas deklarimit të vëllait të tij, i cili ka qenë i pranishëm në momentin e ndalimit, autoritetet serbe i kanë bërë me dije se ndalimi lidhej me një letërnjoftim të dëmtuar”.