Partia Demokratike e Kosovës ka kërkuar sërish nga kryesuesi i seancës konstituive, Avni Dehari, që ta thërrasë vazhdimin e seancës konstituive të Kuvendit për të martën.

“PDK i ka dërguar sërish kërkesë kryesuesit të seancës konstituive sipas moshës, z. Avni Dehari, me kërkesën që nesër, më 18 gusht, në orën 11:00, ta thërrasë vazhdimin e seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës”, thuhet në njoftimin e PDK-së.

“PDK ia rikujton z. Dehari se ai ndodhet në atë pozitë vetëm për ta mundësuar zhvillimin e seancës dhe konstituimin e Kuvendit, jo për të vendosur politikisht nëse dhe kur do të vazhdojë ajo. Roli i tij është procedural, i përkohshëm dhe i kufizuar nga Kushtetuta, aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese dhe Rregullorja e Kuvendit”.

Nga PDK kanë theksuar se të martën, nga ora 11:00, do të jenë në sallën e Kuvendit.

“Z. Dehari, thirreni seancën. Deputetët janë zgjedhur për të qenë në Kuvend, jo për të pritur vullnetin politik të askujt. Nesër, në orën 11:00, PDK do të jetë në sallë”.