Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, ka zhvilluar të enjten një aksion simbolik te selia qendrore e ish-partisë së tij, Lëvizja Vetëvendosje, ku ka dashur që ta lë një zarf, por që nuk është lejuar nga policia të hyjë brenda dhe u detyrua që ta dorëzojë nga jashtë.
Pas kësaj, Molliqaj bëri një deklaratë për media. Ai e ftoi Vetëvendosjen në debat dhe theksoi se kundërshtari i vetëm i kësaj partie është PSD-ja, të cilës, sipas tij, subjekti politik i drejtuar nga Albin Kurti i frikësohet.
“Vetëvendosja i tutet vetëm PSD-së. Qysh e patë edhe zyrtarët brenda… u dridheshin, thua ti se ka ardhur ndonjëkush… vetëm PSD-ja ka ardh, Dardani ka ardh me media, me një zarf isha”, deklaroi Molliqaj para selisë së VV-së.
Ish-numri dy i VV-së, kërkoi që të paramendohet se si do të dukej VV-ja po të ishte PSD-ja në Kuvend. “Se këta janë mësu me opozitarë që s’kanë as kredibilitet moral, as guxim politik, as vetëdije e as aktivizëm”, shtoi.
Molliqaj theksoi se shkoi te ish-partia për ta ftuar në debat para zgjedhjeve “për ide, për diskutime, jo për pazare qysh diskutojnë me Lumirin [Abdixhiku] e me Bedriun [Hamzën] e me të tjerët”.
Ai kërkoi që edhe mediat të angazhohen në këtë drejtim, derisa vazhdoi kritikat ndaj opozitës, të cilat është duke i bërë vazhdimisht.
“Nuk ka debat tjetër në këtë shoqëri. Vetëvendosja po bën sot debat me partitë opozitare sepse i ka damkosur ato. Vetëvendosja e ka kryer betejën me këto parti që kanë qenë deri dje opozitare”.
Beteja e vërtetë politike ideore, sipas Molliqajt, “është mes PSD-së dhe VV-së”. “Kjo është sfida. E ftoj VV-në, nuk qesim kritere, cilindo kandidat të tyre prej 1 deri në 110, me cilindo prej neve, sa herë të dojnë, ku të dojnë, në cilindo debat, në cilindo emision”.
Ai pohoi se në demokraci çështje më të rëndësishme se debati nuk ka. “Nëse demokracia reduktohet në votë dhe procedurë, ai vend bëhet tirani. Kërkesa e partisë në pushtet për më shumë vota në këto zgjedhje e shpërfaqë qartazi dëshirën për më shumë pushtet, më pak demokraci, më pak debat”.
Por, sipas tij, ajo kohë, nëse qytetarët e mbështesin PSD-në, “përfundon”. “Siç e patë sot, skenat e tilla, keni me pa gjithnjë e më shumë edhe në këtë fushatë edhe në Kuvendin e Kosovës”.








