Kryetari i Pejës dhe ish-nënkryetari i LDK-së, Gazmend Muhaxheri, ka akuzuar kryetarin aktual të partisë, Lumir Abdixhikun, se në një formë u ka bërë presion delegatëve për t’ua kuptuar votën.

Ai, në një deklarim për televizionin TËVË1, ka thënë se ka pasur raste kur një delegat është thirrur pesë herë për t’u pyetur nëse e ka dhënë nënshkrimin.

“Kur i thërret delegatët pesë herë në telefon për t’i pyetur a e ke dhënë nënshkrimin, çfarë i thuhet asaj pune? Me thirr deputetin, kolegun tonë edhe me i thanë a e ke nënshkruar, kush ta jep atë të drejtë. Kjo është ajo që kam thënë që s’duhet me bërë. LDK vazhdon rrugën e vet, si të ketë qenë, si të shkojë Abdixhiku. E kemi thirrur këtë Kuvend për me ngritur LDK-në”, tha Muhaxheri.

Aktualisht po mbahet Kuvendi i Jashtëzakonshëm i Lidhjes Demokratike të Kosovës, ku po votohet pro ose kundër shkarkimit të Abdixhikut nga pozita e kreut të LDK-së.

Dega e LDK-së së Pejës, e udhëhequr nga Gazmend Muhaxheri, ka qenë ndër të parat që e kishte ftuar Abdixhikun të ofronte dorëheqje për shkak të rezultatit të dobët të kësaj partie në zgjedhjet e fundit parlamentare në Kosovë.