Deputeti i PDK-së, Artan Behrami, ka folur për përplasjen që pati para disa ditësh në Kuvend me ministren ne detyrë, Donika Gërvalla.
Behrami, duke folur në “Frontal”, ka treguar se gjatë përplasjes me Gërvallën, ai ia kishte përmendur asaj dërgimin e dosjeve në Hagë.
“Donika Gërvallës veç ia kujtova që ka çuar dosje në Hagë. Ka qenë deklaratë e saj”, ka thënë Behrami.
Sipas tij, gjatë debatit, ai i kishte thënë Gërvallës se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe ish-ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiq, e kishin falënderuar për këtë veprim.
Në përgjigje, Gërvalla i ishte kundërpërgjigjur duke i thënë se “po rren”.
Behrami ka folur edhe për situatën e krijuar atë ditë në Kuvend, duke pretenduar se deputetët e Vetëvendosjes kishin ardhur në sallë për të provokuar opozitën.
“Çdo deputet i VV-së vinte me policë privat”, ka deklaruar Behrami.
Përplasja kishte ndodhur disa ditë më parë, kur deputetët e PDK-së kishin shkuar në Kuvend në formë proteste, duke kërkuar thirrjen e seancës konstituive.
Ndërkohë, deputetët e Vetëvendosjes ishin shfaqur në sallën e Kuvendit, ku situata ishte tensionuar dhe kishte pasur përplasje të ashpra mes pozitës dhe opozitës, përfshirë edhe incidente fizike.
Tensionet në Kuvend kanë vazhduar prej ditësh, në kohën kur partitë politike nuk kanë arritur marrëveshje për konstituimin e institucioneve.









