Kryetari i LDK-së dhe deputeti i Kuvendit të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka kërkuar që ligji për buxhetin e Kosovës, të analizohet nga deputetët.
Ai ka thënë se brenda tri orëve kohë nuk kanë mundur ta analizojnë mirë atë.
“Me mirëkuptimin e madh për rëndësinë e ligjit të buxhetit, pajtohemi se është ligj i rëndësishëm me siguri më i rëndësishmi që Qeveria mund ta ketë. Por meqenëse është i rëndësishëm, nuk mund ta pranojmë që brenda tri orëve ta analizojmë një buxhet të Republikës së Kosovës. E dini se nuk është seroze, për aq kohë sa mundëm ta lexojmë, ky ligj i buxhetit nuk e reflekton as këtë qeveri këtu”, ka thënë Abdixhiku.
I njejti është kundërshtuar edhe nga shefi i GP të PDK-së Arian Tahiri.
Sipas tij, PDK-ja ka shprehur gatishmëri që të mos bllokohet funksionimi i shtetit, duke përkrahur vazhdimin e financimit për muajin mars. Megjithatë, ai nënvizoi se për miratimin e buxhetit nevojitet një proces i rregullt dhe kohë e mjaftueshme për analizë
Edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) u shpreh kundër draftit. Shefi i grupit parlamentar, Besnik Tahiri, deklaroi se projektbuxheti i vitit 2026 nuk sjell ndryshime thelbësore krahasuar me vitin paraprak. Sipas tij, struktura dhe vijat buxhetore mbeten pothuajse të njëjta, duke lënë të kuptohet se dokumenti nuk ofron risi apo orientim të ri zhvillimor.
Pas diskutimeve mes deputetëve dhe ministrit Hekuran Murati, kryetarja e Kuvendit ka vendosur që kjo seancë të vazhdojë të hënën.









