Ish-deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, ka thënë se Partia Socialdemokrate ia ka ofruar Kosovës një “lider diktatorial” siç është Albin Kurti.
Kështu tha Musliu në një intervistë për emisionin Five në RTV Dukagjini, pasi që komentoi aksionin simbolik të PSD-së, të cilët thanë se brenda PDK-së “funksionon një klikë” – duke iu referuar Uran Ismailit se e udhëheqë – e cila, sipas tyre, nuk lejoi kthimin e Fatmir Limajt në PDK.
Musliu theksoi se Kurti, i cili, sipas saj e “ka kapur shtetin që 7 vjet”, është dhuratë e PSD-së.
“Më vjen shumë mirë që PSD po ringjallet, po rikthehet në skenën politike dhe bravo iu qoftë kanë arritë që sikur atëherë që e kanë pas fitu pushtetin edhe kanë nejt në pushtet ose e kanë fitu pushtetin edhe ia kanë lënë në dorë Lëvizjes Vetëvendosje ose kanë ba opozitarizëm me PDK-në dhe tash kanë fillu me PDK-në”, ka thënë Musliu në emisionin Five në Dukagjin.
“Çka kanë me prezantu ata për këta gjashtë vjet, çka kanë folë? Me çka kanë me u mburr ata, që kanë më thënë ia kemi ofruar Kosovës një lider diktatorial siç është Albin Kurti, i cili e ka kap shtetin e Kosovës qe 7 vjet edhe e ka ngulfatë. Dhe e ka shkatërru kudo që e ka prek. Kjo është dhuratë e PSD-së. Ata le ta bëjnë punën e vet, ne e bajmë punën tonë”, tha ajo.
Musliu refuzoi që t’i komentojë më tej deklaratat e PSD-së, duke potencuar se PDK-ja është “një parti tradicionale, e cila ka struktura, ka organet e saj drejtuese, ka liderin e saj dhe ka vendimmarrjen e saj dhe çdo vendim që merret në organet e PDK-së është i vlefshëm i respektueshëm nga struktura dhe anëtarësia e partisë”.









