Gjyqtari zviceran insistoi tri herë sot të merrte një përgjigje nga Paul Williams, nëse dinte se Hashim Thaçi e Adem Demaçi ishin takuar në Slloveni – në një përpjekje për ta bindur Demaçin të shprehej pro Marrëveshjes së Rambujesë.
Në pjesën e dytë të pyetjeve të avokatit të Hashim Thaçit, Luka Misetiç u dhanë prova për takimin, madje edhe me fotografi.
Ai paraqiti një fotografi nga një konferencë e tyre ku shihej edhe një mikrofon me mbishkrimin “TV SLO”.
Kjo nxiti reagim e prokurorisë.
Ky është diskutimi i palëve për këtë fotografi.
Misetic: Dr. Williams, a i njihni ndonjërin nga individët në fotografi?
Williams: Unë e njoh Hashim Thaçin, dhe zotëria në të djathtën e tij duket si Adem Demaçi , nga fotografitë që kam parë më pas. (0:21)
Misetic: Faleminderit, dhe a mund të na ndihmoni, një nga mikrofonat ka mbishkrimin “TV SLO” mbi të, a mund të na ndihmoni se çfarë mund të nënkuptojë kjo?
Williams: Ndoshta TV Sllovenia.
Misetic: Faleminderit, z. President, e paraqes fotografinë si provë, DHT 12057.
Smith: Ka ndonjë kundërshtim?
Prokurori: A kemi informata për prejardhjen e këtij materiali, datat, çfarë po shohim këtu, a ka diçka në metadata?
Misetic: Nëse shkoni te images.google.com, do të shihni se raportohet të jetë një fotografi e të dyve në Slloveni në atë datë.
Prokurori: Nuk është puna ime të shkoj te images.google.com, unë po pyesja avokatin për bazën e pretendimeve që ata po bëjnë dhe përpiqen të bëjnë në këtë rast, nëse ai nuk është në gjendje t’i japë, atëherë ne kundërshtojmë pranimin,
Misetic: Besoj se gjendet në metadata. Po, është në metadata, dhe dëshmitari ka dhënë pak kontekst dhe bazë.
Pas kësaj, gjyqtari kryesor, Charles Smith pranoi fotografinë si provë.