Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka përfshirë mjetin e inteligjencës artificiale ChatGPT në debatin e tij me Kryetarin e Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, lidhur me buxhetin e komunës.

Në një postim në Facebook, Murati tha se i kishte dërguar ChatGPT-së deklaratat e tij dhe të Ramës dhe i kishte bërë një pyetje.

“Ia dhashë ChatGPT-së postimin e Përparim Ramës si dhe postimin tim, për këtë punën e buxhetit të Komunës së Prishtinës dhe e pyeta se kush po e thotë të vërtetën”, shkroi Murati.

Përdorimi i ChatGPT në këtë mënyrë është komentuar nga vetë platforma. Kur u pyet nëse një ministër dhe një kryetar komune duhet të përdorin ChatGPT për replika publike, dha këtë përgjigje.

 “Jo, nuk më duket në rregull që një ministër dhe një kryetar komune të debatojnë me akuza dhe kundërakuza në publik, veçanërisht nëse përfshijnë përdorimin e ChatGPT për të prodhuar deklarata politike ose për t’u përballur në forma joformale e jo profesionale”.

Një qasje e tillë cilësohet se mund të ketë pasoja negative. Niveli i debatit politik bie, sepse replikat me mjete si ChatGPT mund ta kthejnë komunikimin institucional në një “lojë fjalësh”, në vend të një përballjeje serioze për çështje të rëndësishme.

Kjo, sipas ChatGPT-së, i huton qytetarët, pasi që presin bashkëpunim institucional dhe jo përplasje personale përmes rrjeteve sociale. ChatGPT vlerëson se përdorimi i tillë përbën keqpërdorim të teknologjisë, duke u përdorur jo për të ndihmuar në analizë apo transparencë, por për përfitime politike dhe shmangie të përgjegjësisë.