Protestuesit janë përplasur verbalisht me ministren në detyrë të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli, gjatë protestës së mbajtur në Prishtinë, ku kundërshtohej vendimi për pezullimin e punimeve dhe shërbimeve ndërtimore në Rugovë.
“Ti prej Prishtine po do me ruajt tokën tem, marre duhet me të ardhë”, është dëgjuar të thonë disa nga protestuesit gjatë përplasjes me ministren.
Protesta është zhvilluar para objektit të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, ku qytetarë nga Rugova kanë dalë për të kundërshtuar vendimin, duke kërkuar anulimin e tij të menjëhershëm.
Me pankarta në duar dhe mesazhe si “Stop padrejtësive ndaj trevës së Rugovës”, “Prona është e shenjtë” dhe “Rugova jashtë parkut”, protestuesit kanë theksuar se vendimi cenon të drejtat e banorëve lokalë.
Organizatori i protestës, Idriz Kurtbogaj, ka bërë thirrje që tubimi të zhvillohet në mënyrë të qetë dhe dinjitoze, me synim mbrojtjen e interesave të banorëve të Rugovës.









