Përplasjet brenda aktualëve dhe ishave të Partisë GUXO po vazhdojnë publikisht, teksa sekretarja e partisë, Triera Kasumi, ka ironizuar me largimet e fundit nga partia, duke i krahasuar me largimet dikurshme nga Lëvizja Vetëvendosje në vitin 2018.

Kasumi ka shkruar se largimet “me ritmin nga një largim në ditë” po ngjajnë me skenarin e ndarjeve nga LVV-ja, duke shtuar se ndryshojnë vetëm emrat, por jo “metoda dhe qëllimi”.

“Këto largimet e pritura nga Guxo me ritmin ‘nga një largim në ditë’, për nga forma dhe narrativi po ngjajnë jashtëzakonisht shumë me skenarin e largimeve nga LVV në janarin e vitit 2018. Ndryshojnë emrat e protagonistëve, por jo metoda dhe qëllimi. Sidomos jo qëllimi. Për Partinë Guxo, vetëm 3 probleme më pak. Me datën 7 qershor, qytetari i mençur i kësaj Republike, jo vetëm emrat por edhe ‘bëmat’ do ju mbajë mend”, ka shkruar ajo.

Ndaj këtij statusi ka reaguar ish-nënkryetari i Partia Guxo dhe ish-deputeti Haxhi Avdyli, i cili është një nga figurat që së fundi u largua nga partia e iu bashkua Vjosa Osmanit.

Avdyli ia ka kthyer Kasumit duke thënë se largimi i tyre nuk nënkupton “3 probleme më pak”, por humbje të madhe votash për Guxon.

“Jo, 3 probleme më pak por 100 mijë e 786 vota më pak. Përndryshe, më 28 dhjetor, Jeta Statovci pati 37 mijë e 916 vota, Haxhi Avdyli 33 mijë e 562 vota dhe Albena Reshitaj me 29 mijë e 308 vota. Shihemi më 7 qershor…”, ka shkruar ai.