Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, ka thënë se deklarata e Ministrit për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiç, se Kryeministri Albin Kurti ia ka bartur 24 hektarë tokë Manastirit të Deçanit për shkak të tij, “është në funksion të faktorizimit të tij kundër Listës Serbe”.
“Ndërsa deklarata e Nenad Rashiç-it është qartazi në funksion të faktorizimit të tij kundër Listës Serbe. Po, edhe kur diçka është e pashmangshme dhe bëhet për disa arsye tjera, është mençuri politike me kapitalizu politikisht sa më shumë në interes të shtetit”, shkroi Rrustemi në Facebook.
Këta, siç pretendon ai, që po reagojnë “nga kampi opozitar janë mësuar si shkëmbim për votat e Listës Serbe të japin e të falin. Ata po flasin me logjikën e tyre, e kjo logjikë ka mbaruar 5 vite më parë”.
“Ja se si dezinformohet publiku hapur, kur ke agjendë politike të njëjtë me partitë opozitare”.
Për rastin e Manastirit të Deçanit, thekson ai, “ka pasur vendim përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese, zbatimi i të cilit nuk ka pasur alternativë”.
Pse ka ardhur puna deri te vendimi i Gjykatës, “është komplet”, sipas tij, “papërgjegjësi e Komunës së Deçanit gjatë procedurës”. “Madje disa palë edhe komente kundërshtuese kanë harru me dërgu në Gjykatë”.









