Organizatat Integra dhe Admovere, të cilat organizuan ekspozitën skandaloze për masakrat në Kosovë, duke paraqitur të dhëna të pasakta, janë përpjekur që të arsyetohen duke thënë se qëllimi i tyre ka qenë “të nderojë viktimat civile të luftës”, derisa kanë kërkuar që ndalen sulmet.

“Fillimisht, u kërkojmë falje të sinqertë të gjithë familjarëve të viktimave civile të luftës, të gjithë atyre që janë prekur drejtpërdrejt apo tërthorazi nga lufta në Kosovë, bashkëpunëtorëve tanë dhe opinionit të gjerë publik për situatën e krijuar”, thuhet në reagimin e tyre.

“Qëllimi i ekspozitës sonë ka qenë i qartë dhe i pandryshueshëm: të nderojë viktimat civile të luftës dhe të kontribuojë në ruajtjen e kujtesës kolektive për krimet e kryera në Kosovë”.

Ata pretendojnë se “në asnjë moment dhe në asnjë formë nuk kemi pasur synim të lëndojmë apo të ofendojmë askënd”.

“Njëkohësisht, bëjmë thirrje për ndaljen e sulmeve, linçimeve dhe kërcënimeve individuale, si dhe për shmangien e çdo keqpërdorimi të situatës së krijuar. Besojmë se diskutimi i hapur, i qetë dhe i respektueshëm është mënyra e vetme për të adresuar çështje kaq të ndjeshme”, përfundojnë ata.

Pasi në ekspozitën e Shkëlzen Gashit, të mbështetur nga institucionet shtetërore, u konstatuan të dhëna të pasakta për masakrat në Kosovë, dhe pas reagimeve të shumta, Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, mori vendim për largimin e ekspozitës nga sheshi “Nënë Tereza”.