James Rubin, ish-ndihmës sekretari i shtetit dhe zëdhënësi kryesor i ish-sekretares amerikane Madeleine Albright, gjatë dëshmisë së tij në Hagë ka folur për situatën në Rambuje kur Albright dhe atë kohë lideri i shqiptarëve në konferencë Hashim Thaçi po përpiqeshin të arrinin një kompromis mbi pavarësinë e Kosovës.
Avokati i Thaçit ka prezantuar disa kujtime të diplomatit amerikan Rubin.
Në këto kujtime, Rubin shkruan se kur Albright i tha Thaçit se ai duhej të hiqte dorë nga pavarësia, ky i fundit u duk i përlotur dhe e refuzoi një gjë të tillë. “Këtu flet zonja Albright në krye të faqes, ti personalisht thotë ajo, po i drejtohet Thaçit, ti personalisht do të jesh përgjegjës për vdekjen e njerëzve të tu nëse nuk ndërron mendje. Lidershipi është për të marrë vendime të vështira, e di që e ke shumë të vështirë të heqësh dorë nga pavarësia, por nëse nuk pranon nuk do ta kesh përkrahjen e perëndimit. Do ta rrezikosh miqësinë me mua dhe Rubin-in. Nuk ke miq me mua dhe Rubin-i në Perëndim, por kështu ne nuk mund të ndihmojë të dëshpërosh popullin shqiptar.”
Thaçi më pas i kishte thënë Albright “se si vetë kishte qenë dëshmitar i vdekjes së shokëve të tij më të ngushtë e krimeve të kryera kundër grave, fëmijëve dhe të moshuarve. Ai ishte i vetëdijshëm se cilat mund të ishin pasojat, për disa momente ai nuk mund të fliste. Pastaj duke u ndrequr pak, duke ndrequr qëndrimin, tha se i vinte keq, por përgjigja ishte jo”.
Në gjykatore u shfaq një pasazh i Rubin mbi situatën pas kësaj bisede. . Aty shkruhej se Albright kishte mbledhur ekipin e saj atë natë e më pas kishte shkuar në Paris që të flinte për pak kohë. Rubin shkruante se këtë kohë e shfrytëzoi që të dilte për një ecje me Thaçin. Jashtë bënte ftohtë, por Thaçi nuk kishte pranuar ofertën e Rubin për t’ia marrë pallton.
Në këtë ecje Thaçi i kishte thënë Rubin se ai “është nën presionin e komandantëve të UÇK-së në Kosovë dhe financuesve të saj nga Evropa”, Rubin thotë se “ata do ta konsideronin tradhtar”.
Këtu, Rubin tregon se Thaçi kishte ofruar një kompromis: “Që shqiptarët të cilët tashmë ishin dakord në parim, (përfshirë këtu edhe tërheqjen nga pavarësia e menjëhershme), të shtynin afatin e nënshkrimit të marrëveshjes për dy javë, në mënyrë që të diskutonin detajet me të gjithë komandantët e UÇK-së dhe për tu konsultuar me njerëzit në Kosovë. Ai premtoi se pas dy javësh do ta nënshkruante marrëveshjen.”