Partitë politike kanë nisur qysh ditë më parë fushatën, por ajo fillon zyrtarisht sot.
Pas 10 ditësh, më 7 qershor, qytetarët do të votojnë në zgjedhje nacionale për herë të tretë që nga shkurti i vitit 2025.
Klasa politike në vend nuk arriti të gjejë konsensus për krijimin e institucioneve – mes betonimeve dhe makinacioneve për qeveri e presidencë.
Partia Demokratike e Kosovës, e drejtuar nga Bedri Hamza, do ta ketë hapjen zyrtare të fushatës në Ferizaj – një qytet ku ajo udhëheq tash e sa kohë.
Lidhja Demokratike e Kosovës do ta nisë zyrtarisht fushatën nga Prishtina, nën udhëheqjen e Lumir Abdixhikut dhe Vjosa Osmanit.
Lëvizja Vetëvendosje mbajti para pak ditësh takimin e saj të madh, ku për gati dy orë foli vetëm lideri i saj, Albin Kurti.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës hapjen e fushatës do ta bëjë në Gjakovë – nga qyteti që drejtohet nga Ardian Gjini, kryetar i sapozgjedhur i partisë dhe kandidat për kryeministër.
Që nga shpallja e zgjedhjeve, bosht i debateve është bllokada politike e krijuar, kritika e opozitës për mungesën e projekteve gjatë 6 vjetëve të qeverisjes së Kurtit, kostoja e rënduar e jetesës me çmime të larta, si dhe tashmë praktika e Vetëvendosjes për të ndarë shtesa pak ditë para zgjedhjeve.
Në zgjedhjet e fundit, Vetëvendosje mori 51%, të mjaftueshme për ta krijuar Qeverinë – por gjithçka u bllokua kur ajo refuzoi ta kandidojë Vjosa Osmanin për presidente.
Palët duken të betonura në qëndrimet e tyre rreth bashkëpunimit pas zgjedhjeve, gjë që ka lënë dilema të mëdha nëse institucionet do të mund të krijohen shpejt pas zgjedhjeve.









