Deputetët do të mblidhen sërish sot në një përpjekje tjetër për ta konstituar Kuvendin.
Më 20 gusht, deputetët patën si kandidate Albulena Haxhiun – por ajo mori vetëm 57 vota.
Në përpjekjen pasuese, Vetëvendosje propozoi Donika Gërvallën, por as ajo nuk i mori votat e mjaftueshme. Madje, ajo nuk u votua as nga deputetja e VV-së, Shqipe Mehmeti Selimi, e cila tha se kjo ndodhi si pasojë e komenteve të Gërvallës për Rexhep Selimin, bashkëshortin e saj.
Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese ka konstatuar se në seancat e mëhershme, deputeti Avni Dehari ka shkelur Kushtetutën dhe aktgjykimin e parë të nxjerrë nga ky institucion. Gjykata gjithashtu ka konstatuar se Kryetari i Kuvendit duhet të zgjidhet me votim të hapur, se një kandidat mund të propozohet tri herë, dhe se konstituimi duhet të ndodhë brenda 30 ditëve.