Kryetari tashmë i rikonfirmuar i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka folur për përgjimet dhe tendencat e pretenduara të kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, rreth shkarkimit të tij.

Ai tha se, nëse ato janë të vërteta, Përparim Rama duhet të mbajë përgjegjësi dhe se LDK-ja nuk ia fal Përparim Ramës.

“Kanë gabuar rëndë gjithë ata që janë përfshirë në këtë drejtim. Nëse z. Rama është përfshirë në këtë drejtim, ai ka gabuar rëndë. E anëtarësia e LDK-së nuk e fal këtë gjë”, ka thënë Abdixhiku.

Ndërsa për ata që e morën iniciativën për shkarkimin e tij, përfshirë Gazmend Muhaxherin dhe Imri Ahmetin, ai tha se nuk do të ketë hakmarrje.

Këto i tha pas rikonfirmimit të tij si kryetar i LDK-së, ku u pyet edhe për marrëveshjet potenciale me Vetëvendosjen. Ai tha se, nga ky moment, “pezullohet pezullimi” i takimeve për formimin e institucioneve.