Një varg parregullsish janë renditur nga mbrojtja e ish-presidentit Hashim Thaçi, në Dosjen Paraprake për rastin tjetër me të cilin ai akuzohet – atë për pengim në administrim të drejtësisë.

Në dosje thuhet se qëllimi i prokurorisë është që ta rëndojë pozicionin e Thaçit me akuza që nuk mbështeten në prova dhe, për më tepër, me një proces të ri që ka për synim të ndikojë në rastin kryesor – atë për krime lufte, ku krerët e UÇK-së akuzohen si “Ndërmarrje e Përbashkët Kriminale”.

“Ky rast përfaqëson një keqpërdorim të kompetencave të prokurorisë nga Zyra e Prokurorit të Specializuar. Në rastin më të keq, është një përpjekje për të ndikuar në rezultatin e çështjes kryesore të Dhomave të Specializuara të Kosovës – Prokurori kundër Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit (‘Çështja 06’) – si duke e ngarkuar z. Thaçi dhe ekipet e tij mbrojtëse me procedura paralele, ashtu edhe duke krijuar faktorë paragjykues që mund të ndikojnë në rezultatin e Çështjes 06,” thuhet në dosjen paraprake.

Mbrojtja thekson se ky rast është karakterizuar që nga fillimi me shumë parregullsi procedurale.

“ZPS duket se është përqendruar në marrjen e sa më shumë dhe sa më të rënda dënimeve kundër z. Thaçi, pa marrë parasysh drejtësinë e procesit apo përputhshmërinë e tij me ligjin e zbatueshëm,” thekson mbrojtja.

Sipas ekipit të avokatëve, kjo çështje kundër Hashim Thaçit është konfirmuar nga një trup gjykues i përbërë në mënyrë të paligjshme.

“Siç është shpjeguar në Kërkesën Paraprake të Mbrojtjes për Juridiksionin, si ZPS-ja ashtu edhe Presidentja kanë shpërfillur dispozitat e Ligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës që lidhen me ndarjen e përgjegjësive gjyqësore dhe caktimin e gjyqtarëve. Si pasojë, aktakuza është lëshuar nga një trup gjykues që nuk është përbërë në përputhje me ligjin, duke e bërë atë të pavlefshme. Vetë themeli i rastit, për rrjedhojë, është i paligjshëm,” deklaron mbrojtja.

Ajo çfarë mbrojtja i ka dhënë peshë është fakti se prokuroria dhe, në këtë rast, edhe Gjykata po zhvillojnë dy raste në të njëjtën kohë. Sipas tyre, kjo cenon të drejtën për të marrë pjesë aktive në mbrojtje.

“Ky rast mund të ishte zhvilluar pas përfundimit të ‘Çështjes 06’. Asnjëherë nuk është dhënë ndonjë shpjegim nga ZPS për nxitimin që të zhvillojë paralelisht ‘Çështjen 12’ me Çështjen 06, edhe pse zhvillimi paralel i dy gjykimeve të ndërlidhura është i paprecedentë në të drejtën penale ndërkombëtare dhe po krijon një sërë parregullsish procedurale. Siç është shpjeguar nga Mbrojtja në kërkesën për ndarje dhe shtyrje të çështjeve, zhvillimi paralel i tyre po cenon të drejtën e z. Thaçi për të marrë pjesë aktive në mbrojtjen e vet dhe po i vendos një barrë të rëndë e të pajustifikuar ekipeve të tij mbrojtëse, duke penguar përgatitjen e mbrojtjes”, thuhet në Dosjen Paraprake, duke theksuar se kjo ka sjellë vendime kontradiktore e të padrejta.

Në këtë kuptim, mbrojtja thekson se krejt këto anomali dhe parregullsi në proces do të shmangeshin nëse rastet do të gjykoheshin në periudha të ndara.

Tutje, në Dosjen Paraprake avokatët theksojnë se prokuroria nuk argumenton në asnjë formë akuzën se Thaçi ka penguar persona zyrtarë në kryerjen e detyrës.

“ZPS akuzon z. Thaçi për përpjekje për të penguar persona zyrtarë përmes veprimeve të përbashkëta të tre grupeve. Megjithatë, ajo nuk ka specifikuar se cilët persona zyrtarë pretendohet të kenë qenë objektiv i kësaj pengese, as cilat detyra zyrtare janë synuar. Në 145 faqet e Përmbledhjes Paraprake të ZPS-së, vetëm një paragraf trajton drejtpërdrejt këto dy çështje – dhe këtë e bën në mënyrë tepër të paqartë”, thekson mbrojtja.

Sipas tyre, nga mbrojtja po kërkohet të ballafaqohet me një rast pa ditur elementet bazike, shkruan Vox Kosova.

“Mbrojtja pra kërkohet të përgjigjet për një akuzë pa i ditur elementet thelbësore të saj. Kjo mungesë është edhe më e pajustifikueshme, pasi në versionin fillestar të aktakuzës ZPS-ja pretendonte se kishte ndodhur pengesë reale, jo vetëm tentativë. Pra, ZPS duhet të ketë pasur një qëndrim për personat e penguar dhe detyrat që ata nuk kanë mundur t’i kryejnë. Edhe pse aktakuza tani flet për ‘tentativë’, ZPS duhet të dëshmojë që i akuzuari kishte qëllimin për të penguar zyrtarë të caktuar në kryerjen e detyrave të caktuara – por këto fakte materiale nuk janë paraqitur kurrë”, shkruhet në dosjen paraprake.

Duke analizuar në tërësi aktakuzën, provat dhe parregullsitë, avokatët e Thaçit theksojnë se krejt kjo ka për qëllim dënimin e tij para se të përfundojë rasti tjetër – duke shpërfillur rregullat për një gjykim të drejtë.

“Qëllimi i përgjithshëm i ZPS-së duket të jetë dënimi i z. Thaçi në këtë rast dhe sigurimi që kjo të ndodhë para përfundimit të Çështjes 06. Për ta arritur këtë, ZPS është e gatshme të shpërfillë rregullat e provave të përcaktuara për të garantuar një gjykim të drejtë”, thekson mbrojtja.

Një tjetër shqetësim që ka ngritur mbrojtja është edhe çështja e bisedave të përgjuara nga vizitat brenda burgut. Sipas tyre, prokuroria përdor biseda të cilat ishin publike edhe në opinion. Jo vetëm kaq – sipas tyre, versionet e bisedave janë më shumë një interpretim i prokurorisë dhe nuk është ofruar asnjë shpjegim se si ajo ka identifikuar zërat në biseda.

“Versionet në anglisht të bisedave të përgjuara pasqyrojnë interpretimin e ZPS-së në pjesë ku gjuha është e paqartë, [REDAKTUAR]. Dhe, më e rëndësishmja, nuk është dhënë asnjë shpjegim – e aq më pak ndonjë provë e pranueshme – se si ZPS ka arritur në identifikimin e zërit në këto transkripte”, thuhet në dosje.

“Për më tepër, në disa raste, ZPS e akuzon z. Thaçi për ndarjen e informacionit që tashmë ishte bërë publik nga të tjerë në atë kohë. Për shembull, Dëshmitari 1 dhe Dëshmitari 2 kishin dëshmuar gjerësisht në procese të tjera penale për konfliktin në Kosovë shumë kohë para vitit 2023, dhe përmbajtja e dëshmive të tyre ishte lehtësisht e qasshme publikisht. Para vizitës në Qendrën e Paraburgimit më 2 korrik 2023, Dëshmitari 1 kishte bërë publik faktin që po jepte dëshmi për ZPS-në dhe kishte ndarë publikisht qëndrimet e tij për Çështjen 06. ZPS nuk i njeh këto fakte dhe as nuk sqaron se si ndarja e një informacioni të tillë publik mund të përbëjë vepër penale në këto rrethana”, potencon mbrojtja./VOX