Paradoksi i drejtësisë për luftën në Kosovë është tronditës.
Ushtria Çlirimtare e Kosovës, që u përball me një aparat shtetëror genocidal, përfundoi me më shumë të dënuar për krime lufte sesa vetë forcat që orkestruan masakrat dhe spastrimin etnik.
Të dhënat e Fondit për të Drejtën Humanitare tregojnë se, nga gjykatat e UNMIK-ut, EULEX-it, gjykatat vendore, ato në Serbi, Tribunali i Hagës dhe tash Gjykata Speciale, janë dënuar 42 pjesëtarë të UÇK-së.
Ndërkaq, nga regjimi i Millosheviqit përgjegjës për rreth 12 mijë të vrarë – janë dënuar vetëm 34 pjesëtarë të forcave serbe.
Për UÇK-në, 35 dënime janë dhënë në Kosovë, dy nga Tribunali për ish-Jugosllavinë, tre nga gjykatat në Serbi dhe dy nga Gjykata Speciale – Salih Mustafa dhe Pjetër Shala.
Për forcat serbe, gjashtë dënime u dhanë nga Tribunali për Ish Jugosllavinë, 12 nga gjykatat në Kosovë, 15 nga gjykatat në Serbi dhe një në Mal të Zi.
Paradoksi thellohet edhe më tej me kërkesën e Prokurorisë Speciale për krerët e UÇK-së: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.
Prokuroria ka kërkuar gjithsej 180 vjet burgim – nga 45 vjet për secilin.
Për çfarë standardesh drejtësie bëhet fjalë, kur e krahasojmë këtë me vendimet ndaj gjashtë arkitekteve kryesorë të makinerisë shtetërore serbe të dënuar në Tribunalin për Ish Jugosllavinë?
Në total, ata u dënuan me 107 vjet burgim: Nikola Sainovic 18 vjet, Dragoljub Ojdanic 15 vjet, Nebojsa Pavkovic 22 vjet, Vladimir Lazarevic 14 vjet, Sreten Lukic 20 vjet dhe Vlastimir Gjorgjevic 18 vjet.
Ndryshe nga pjesëtarët e UÇK-së që iu përgjigjën drejtësisë dhe u dorëzuan pa rezistencë, statistikat tregojnë se mbi 20 pjesëtarë të forcave serbe të akuzuar për krime lufte vazhdojnë të jetojnë të lirë në arrati.
Por bashkësisë ndërkombëtare, që e udhëhoqi vetë drejtësinë në Kosovë përmes dy misioneve, nuk i mjaftoi kjo dhe Kosovës, viktimës, i kërkoi edhe një Gjykatë Speciale.
Serbisë – agresorit që fshehi trupat në varreza masive dhe manipuloi provat, nuk i kërkoi kurrë një mekanizëm të tillë.
Këtu pyetja thelbësore, para vendimit të nesërm është:
A po kërkohet e vërteta, apo po provohet të rishkruhet historia, të bëhen barazime mbi kurrizin e të shtypurit?








