Respektimi i ligjit për përdorimin e gjuhës shqipe nëpër institucionet shtetërore dhe zbatimi i plotë i Marrëveshjes së Ohrit kanë qenë temat kyçe të diskutimit në mes të Ministrit të Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Ferit Hoxha dhe homologut të tij nga Maqedonia e Veriut, Timo Mucunski.
Kështu ka njoftuar kryediplomati shqiptar në një postim në platformën X, ku njoftoi se me Mucunskin ka biseduar përmes telefonit.
“Ripërsëritëm rëndësinë kryesore të zbatimit të plotë të Marrëveshjes së Ohrit, gurthemel i bashkëjetesës ndër-etnike dhe stabilitetit institucional në vend. Në këtë kontekst, theksova rëndësinë e zbatimit të Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve, duke përfshirë përdorimin e gjuhës shqipe në institucionet shtetërore, përmes zgjidhjeve që respektojnë parimet kushtetuese dhe pasqyrojnë karakterin shumë-etnik të vendit”, ka shkruar Hoxha në Facebook.
Jashtë kësaj, Hoxha theksoi se janë dakorduar se integrimi evropian i dy vendeve — dhe i gjithë Ballkanit Perëndimor — “ka rëndësi strategjike dhe përfaqëson investimin më të mirë në stabilitet dhe siguri, si për rajonin tonë, ashtu edhe për Bashkimin Evropian”.









