Ish-deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Mërgim Lushtaku, ka thënë se babai i tij, Sami Lushtaku, i cili është Kryetar i Komunës së Skenderajt, po provokohet nga mekanizmat e Kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.
Këto komente, Lushtaku i ka bërë para stacionit të policisë në Skenderaj, ku po pritet intervistimi i babait të tij nga organet e rendit në lidhje me incidentin e së enjtes në mes të Samiut dhe Kryetarit të Degës së VV-së në Skenderaj, Hysni Mehani.
“Ka pasur një incident, ka ndodhur një rrahje dhe sigurisht që u përfol edhe emri i babait tim. Është deklaruar që nga fillimi që është i gatshëm me bashkëpunuar dhe që nuk ka asgjë, po po provokohet nga njerëzit e Albin Kurtit, nga mekanizmat e tij dhe pastaj kemi parë edhe një ngjarje tjetër të hidhur, ku fatkeqësisht është përdorur Policia e Kosovës, njësia speciale konkretisht, që të tregojnë edhe të demonstrojnë forcën e tyre”, tha Lushtaku.
Ai theksoi se kjo “u pa edhe nga qytetarët e vendit që si fyerje e e qytetarisë, dhe si rezultat i saj edhe kanë dalë shumë qytetarë me protestuar në 01:00 të natës dhe derisa u largua njësia speciale, ku duhet t’i jap llogari drejtësisë, jo partive politike apo partisë në pushtet”.
Lushtaku theksoi se babai i tij po i përgjigjet ftesës së organeve të rendit, por theksoi se nuk ka pasur më herët.
“Prandaj, besoj po shihet qartë që Sami Lushtaku po i përgjigjet ftesës, siç e kemi deklaruar që nga fillimi, por derisa s’ka pasur ftesë zyrtare, sigurisht që nuk ka pasur edhe mundësi me u përgjigjur”, shtoi ai ndër të tjera.
Para stacionit të Policisë në Skenderaj janë mbledhur qindra njerëz në mbështetje të Sami Lushtakut, i cili pritet të intervistohet nga organet e rendit më lidhje me incidentin me Hysni Mehanin e VV-së.









