Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, nuk është paraqitur të premten në seancën gjyqësore në Gjykatën Themelore të Prishtinës, ku është i akuzuar për hedhjen e gazit lotsjellës, përkundër se ndaj tij ka urdhëresë për ta sjellë me forcë.

Për dallim nga ai, deputetët e Vetëvendosjes, Sali Zyba dhe Fitore Pacolli, por edhe ish-deputetja Drita Millaku janë paraqitur në Gjykatë.

Seanca e paraparë për t’u mbajtur sot (e premte) dështoi për shkak të mungesës së Sveçlës.

Sabit Sadikaj, gjyqtari i rastit, tha se nuk ka kushte për mbajtjen e seancës për shkak të mungesës së Sveçlës. Gjyqtari theksoi se Sveçla e ka arsyetuar me shkrim mungesën për të qenë prezent ne seancë.

Ndryshe, Millaku, Zyba, Sveçla dhe Pacolli akuzohen se në vitin 2018 kishin hedhur gaz lotsjellës në sallën e Kuvendit të Kosovës.

Në seancën fillestare për këtë rast, që ishte mbajtur më 26 mars 2024, të katër të akuzuarit, ishin deklaruar të pafajshëm.