Përfaqësuesja e Britanisë së Madhe, Jennifer MacNaughtan, në Këshillin e Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), ka inkurajuar shtetet anëtare të kësaj organizate që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës t’i bashkohen shumicës, duke rikujtuar se Britania është një nga vendet e para që e ka bërë një gjë të tillë.

“Si një nga vendet e para që e ka njohur pavarësinë e Kosovës, ne inkurajojmë ato shtete anëtare që ende nuk e kanë bërë këtë, t’i bashkohen shumicës”, ka thënë ajo në seancën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Ajo ka theksuar se “siç e bëri të qartë Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në opinionin e saj këshillëdhënës të vitit 2010, shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk ka qenë shkelje e së drejtës ndërkombëtare”.

“Njohja është thelbësore për stabilitetin afatgjatë dhe për zhbllokimin e potencialit të plotë të Kosovës”.