Bosi meksikan i drogës Ismael “El Mayo” Zambada është dënuar me burgim të përjetshëm në Shtetet e Bashkuara, duke i dhënë fund një prej proceseve më të rëndësishme kundër karteleve që nga dënimi i Joaquín “El Chapo” Guzmán.
Bashkëthemeluesi i kartelit Sinaloa shmangu dënimin me vdekje pasi vitin e kaluar pranoi fajësinë për drejtimin e një organizate të vazhdueshme kriminale dhe pranoi se për dekada kishte trafikuar miliona kilogramë kokainë.
Si pjesë e marrëveshjes për pranimin e fajësisë, gjykata urdhëroi gjithashtu konfiskimin e 15 miliardë dollarëve fitime nga trafiku i drogës, njoftoi Departamenti Amerikan i Drejtësisë.
“Dënimi i El Mayo-s është historik dhe pasqyron angazhimin e Departamentit të Drejtësisë për eliminimin e plotë të karteleve dhe organizatave kriminale ndërkombëtare që kërcënojnë jetën e amerikanëve”, tha ndihmësprokurori i përgjithshëm i SHBA-së, A. Tysen Duva.
Para se të mësonte vendimin, Zambada iu drejtua gjykatës duke marrë përgjegjësinë për krimet e tij. Ai u kërkoi falje njerëzve dhe familjeve të panumërta që janë dëmtuar nga veprimet e tij dhe tha se nuk po e pranonte fajësinë për të fshehur atë që kishte bërë, por sepse e dinte se kishte vepruar gabim.
Ai u bëri thirrje të rinjve të mos ndiqnin rrugën e tij.
“Zgjidhni një rrugë tjetër. Nuk ka të ardhme në dhunë. Ajo të çon vetëm në burg dhe në vdekje”, tha ai.
Më tej shtoi:
“Dhuna duhet të marrë fund në Meksikë dhe kudo tjetër. Po humben shumë jetë. Askush nuk fiton.”
Si u ngrit në pushtet Zambada
I lindur në shtetin meksikan të Sinaloas, Zambada punoi si fermer në rininë e tij. Në vitet 1980 ai nisi bashkëpunimin me kartelin Guadalajara dhe më vonë me kartelin Juárez, i cili drejtohej nga Armando Carrillo Fuentes, trafikanti i njohur si “El Señor de los Cielos” (“Zotëria i Qiejve”), për shkak se përdorte një flotë të madhe avionësh të vegjël për transportimin e drogës.
Pas vdekjes së Carrillo Fuentes, El Mayo krijoi organizatën e tij kriminale, kartelin Sinaloa, të cilin e drejtoi për vite me radhë së bashku me El Chapo-n.
I njohur edhe si Karteli i Paqësorit, karteli Sinaloa zgjeroi prodhimin dhe trafikimin e heroinës, marihuanës, metamfetaminës, fentanilit dhe kokainës drejt Shteteve të Bashkuara.
Departamenti Amerikan i Thesarit e ka lidhur Zambadën edhe me një skemë pastrimi parash përmes kompanive dhe kontratave të dyshuara qeveritare në Meksikë, gjë që ka kontribuar që karteli të konsiderohet një nga organizatat kriminale më të mëdha në botë.
Teksa El Mayo forconte pushtetin e tij – duke u bërë një nga njerëzit më të kërkuar nga SHBA-ja, e cila ofronte 15 milionë dollarë shpërblim për kapjen e tij – shumë prej familjarëve të tij të afërt u arrestuan dhe u ekstraduan në Shtetet e Bashkuara.
Njëri prej tyre ishte djali i tij, Vicente “El Vicentillo” Zambada Niebla, i cili u arrestua në Meksikë në vitin 2009, u ekstradua në Illinois, pranoi fajësinë për trafik droge në vitin 2013 dhe në vitin 2019 u dënua me 15 vjet burg.
Shumë prej të akuzuarve bashkëpunuan me autoritetet amerikane në këmbim të uljes së dënimeve, gjë që ndihmoi edhe në gjyqin ndaj El Chapo-s, i cili u dënua me burgim të përjetshëm në vitin 2019.
Pas një lufte të ashpër të brendshme, gjatë së cilës iu bë edhe një atentat, El Mayo mbeti në krye të kartelit Sinaloa së bashku me djemtë e El Chapo-s, të njohur si “Los Chapitos”.
Sipas organizatës InSight Crime, aleanca mes këtyre fraksioneve ishte një nga arsyet kryesore pse karteli Sinaloa u konsolidua si një nga organizatat kriminale më të fuqishme në rajon. Megjithatë, kjo aleancë u shndërrua më vonë në një luftë të vazhdueshme të brendshme, e cila kontribuoi edhe në arrestimin e El Mayo-s në SHBA.
Pikëpyetje rreth arrestimit dhe gjendjes shëndetësore
Sipas autoriteteve amerikane, El Mayo dhe Joaquín Guzmán López, një prej djemve të El Chapo-s, u arrestuan në El Paso të Teksasit më 25 korrik 2024, pasi udhëtuan me një avion privat nga Meksika.
Më vonë, El Mayo deklaroi se ishte mashtruar për të hipur në atë avion.
Mënyra se si u arrestua është bërë një pikë përplasjeje mes qeverive të Meksikës dhe Shteteve të Bashkuara.
Qeveria e presidentes meksikane Claudia Sheinbaum kërkon që SHBA-ja të sqarojë rrethanat e arrestimit, duke pretenduar se mund të jetë shkelur sovraniteti kombëtar.
Prokuroria e Përgjithshme e Meksikës po heton nëse ka pasur parregullsi gjatë transferimit të tij dhe thotë se ka 32 hetime të hapura ndaj El Mayo-s, si dhe urdhër-arreste aktive.
Zambada ka bërë të ditur se do ta pranojë dënimin e shqiptuar nga drejtësia amerikane, por ka kërkuar të mos dërgohet në një burg të sigurisë së lartë dhe që të merret parasysh gjendja e tij shëndetësore.
Të hënën, gjykatësi publikoi dokumente mjekësore të mbajtura më parë sekret, të cilat tregojnë se Zambada po përjeton rënie të aftësive njohëse dhe probleme të tjera shëndetësore që mund të përkeqësohen me kalimin e kohës.
Ndërsa prokurorët argumentuan se ai mund të marrë trajtim mjekësor brenda sistemit federal të burgjeve, gjykatësi tha se Byroja e Burgjeve duhet ta marrë seriozisht në konsideratë gjendjen e tij shëndetësore kur të vendosë se ku do ta vuajë dënimin.
Çfarë pritet të ndodhë me kartelin Sinaloa?
Siç kanë deklaruar disa ekspertë për CNN, kur bie një drejtues i një organizate të trafikut të drogës, zakonisht ka gjithmonë persona të tjerë të gatshëm për ta zëvendësuar. Për këtë arsye, karteli vazhdon të mbetet aktiv.
InSight Crime vlerëson se një nga djemtë e El Mayo-s, Ismael “El Mayito Flaco” Zambada Sicairos, i cili ende nuk është arrestuar, mund të bëhet pasardhësi i tij.
Ndërkohë, lufta për drejtimin e kartelit ka shkaktuar dhunë të vazhdueshme në Sinaloa, ku përplasjet mes dy fraksioneve kryesore – Los Chapitos dhe Los Mayos – vazhdojnë.
Nga shtatori 2024 deri në maj të këtij viti, në Sinaloa u regjistruan 2.829 vrasje me paramendim, sipas statistikave zyrtare.
Organizatat që monitorojnë krimin e organizuar vlerësojnë se një pjesë e madhe e këtyre vrasjeve lidhet me konfliktin mes dy grupeve dhe se mijëra persona të tjerë rezultojnë të zhdukur.
Dy nga drejtuesit e Los Chapitos, Iván Archivaldo dhe Jesús Alfredo Guzmán Salazar, vazhdojnë të jenë në arrati. Qeveria amerikane ofron shpërblime shumë milionëshe për informacione që çojnë në arrestimin e tyre.
Një raport i organizatës International Crisis Group thotë se, përveç Los Chapitos dhe Los Mayos, karteli përbëhet edhe nga dy blloqe të tjera: njëri i drejtuar nga vëllai i El Chapo-s, Aureliano “El Guano” Guzmán, dhe tjetri nga Fausto Isidro Meza Flores, i njohur si “El Chapo Isidro”.
“Peizazhi kriminal në Sinaloa është shumë i fragmentuar”, tha për CNN analisti David Mora.
Sipas tij, këto katër fraksione bashkëpunojnë me rreth 20 qeliza kriminale për të kontrolluar tregje të ndryshme të paligjshme, përfshirë trafikun e drogës, lojërat e fatit, kontrabandën e alkoolit dhe cigareve, si dhe zhvatjen e bizneseve.
Në këtë kontekst, Mora tha se dënimi i El Mayo-s nuk pritet të ndryshojë dinamikën kriminale në Sinaloa.
“Nëse ai pranon fajësinë dhe dënohet me burgim të përjetshëm, a do të ndikojë kjo në prodhimin dhe trafikimin e fentanilit? Patjetër që jo”, përfundoi ai.









