Takimi mes kryetarit të PDK-së, Bedri Hamza, e atij të VV-së, Albin Kurti, sipas këtij të fundit, nuk pati ndonjë rezultat.
“Aktualisht nuk mund të them që kemi ndonjë rezultat konkret, ndonjë të arritur që do të mund ta ndaja me publikun”, tha Kurti para mediave.
Për Kurtin, Kosova duhet të ketë një president jo-partiak, që sipas tij “nuk është pjesë e polemikave të përditshme”. Në këtë formë, ai indirekt ka përjashtuar emrin e Vjosa Osmanit, kandidates së LDK-së për Presidente.
“Pikënisje do ta kishim një figurë konsensuale. Pra, dikush që nuk është i asnjë partie politike. Dikush që është përtej polemikave të skenës aktuale. Dikush që ka vlera të dëshmuara kombëtare, profesionale e qytetare dhe në këtë mënyrë të jetë shprehje e unitetit. Kjo është jo ideja jonë e kërkesa jonë, por kjo është fryma e germa e kushtetueses”, tha Kurti.
Kurti tha se zgjedhja e Presidentit është “përgjegjësi edhe e partive të tjera politike”, gjersa krijimi i Qeverisë siç u shpreh ai “është përgjegjësi e Vetëvendosjes”.
“Por e theksoj nëse unë si fitues i zgjedhjeve kam përgjegjësinë për formimin e Qeverisë, zgjedhja e Presidentit nuk është përgjegjësi vetëm e partisë fituese. Zgjedhja e Presidentit është menduar që të ndodhë me një bashkëpunim me të tjerët”, shton.
Partia Demokratike e Kosovës pas takimit ka njoftuar se do të qëndrojë në opozitë.
Pasdite, Kurti do të takohet edhe me të parin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.








