Luka Misetiç, avokat i ish-Presidentit Thaçi në Hagë, i ka reaguar Komisioneres për Zgjerim të BE-së, Marta Kos, e cila Gjykatën Speciale e quajti “organ të pavarur”, vendimet e së cilit “duhet të respektohen”. Në një postim në X, Misetiç thotë se nuk i takon Kos-it të paragjykojë këtë çështje, duke ia rikujtuar asaj raportin e avokatëve britanikë i cili kishte nxjerrë përfundime për shkelje të rënda ndaj të akuzuarve në rastin e krerëve të UÇK-së.
“Nëse Dhomat e Specializuara të Kosovës kanë vepruar në mënyrë të paanshme në rastin e z. Thaçi, ende duhet të përcaktohet. Nuk i takon Marta Kos-it ta paragjykojë këtë çështje. Komiteti i Avokatëve për të Drejtat e Njeriut i Anglisë dhe Uellsit ka vënë në pikëpyetje paanshmërinë e gjyqtarëve të trupit gjykues në këtë rast”, shkroi Misetiç.
Shkrimi i Misetiç:

Në një reagim tjetër dhënë menjëherë pas dhënies së verdiktit, Misetiç kishte thënë se Hashim Thaçi e mohon kategorikisht përfshirjen në vrasjen e Behajdin Allaqit dhe kërkon seancë publike për këtë çështje.
“Për më tepër, dje Trupi Gjykues deklaroi publikisht se z. Thaçi ishte i përfshirë në vrasjen e Behajdin Allaqit, pasi kishte urdhëruar të gjitha palët në këtë çështje që të mos e diskutonin rastin e z. Allaqit në seancë publike të gjykatës, si dhe pasi kishte urdhëruar që të gjitha provat lidhur me këtë rast të mbaheshin konfidenciale”, shkroi Misetiç.
“Kështu, Trupi Gjykues e ka shpallur publikisht z. Thaçi fajtor për një vrasje, duke i mbajtur njëkohësisht të fshehura nga shqyrtimi publik provat mbi të cilat e ka bazuar këtë përfundim. Z. Thaçi do ta mirëpriste një shqyrtim të tillë publik të provave”, shtoi.
Ai bëri me dije se mbrojtja do t’i apelojë vendimet e Trupit Gjykues për “shkeljen e të drejtave të tij themelore për një gjykim të drejtë, të garantuara nga Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe Kushtetuta e Kosovës. “Z. Thaçi mohon shprehimisht çdo përfshirje në vrasje”.









