Për shkak të deklaratave të Kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, ndaj Gjykatës Kushtetuese, Shtetet e Bashkura të Amerikës pezulluan Dialogun Strategjik me Kosovën, ka thënë ish-ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier.
“Nëse lexoni deklaratën e SHBA-së, atë të lëshuar nga Ambasada e SHBA-së në Prishtinë në kohën kur është bërë njoftimi, është e qartë se ky vendim është marrë nga autoritetet e Uashingtonit, si rezultat i perceptimit të tyre se Qeveria e kryeministrit në detyrë [Albin] Kurti nuk po bashkëpunon mjaftueshëm”, tha Hovenier në një intervistë për Radio Evropa e Lirë.
“Ato konsiderojnë se, pavarësisht këshillave, sugjerimeve dhe përpjekjeve të SHBA-së, kryeministri dhe Qeveria e tij në detyrë vazhdojnë të ndërmarrin veprime që, sipas Shteteve të Bashkuara, ndikojnë drejtpërdrejt dhe negativisht në sigurinë dhe stabilitetin në rajon”, shtoi.
Ai kërkoi që të vihet re se kjo pikëpamje “nuk duket të jetë vetëm e SHBA-ve. Partnerët evropianë, gjithashtu, kanë vazhduar të shprehin shqetësime të vërteta, lidhur me disa nga zgjedhjet politike të Qeverisë së kryeministrit në detyrë, Kurti”.
Hovenier iu përgjigj edhe disa pretendimeve se Albin Kurti ka ende marrëdhënie të mira me SHBA-të.
“Një gjë që kam vënë re në postimet në rrjetet sociale dhe deklaratat e tjera të zyrtarëve, është se disa po përpiqen ta minimizojnë këtë. Disa thonë se Albin Kurti dhe Qeveria e Kosovës ende kanë marrëdhënie të mira me SHBA-në, por kjo, thjesht, nuk është e vërtetë”, pohoi.
Nëse gjithçka do të ishte mirë, ish-diplomati amerikan thekson se “nuk do të kishte pasur nevojë për këtë vendim për të pezulluar Dialogun Strategjik – përkohësisht ose për një kohë të pacaktuar”.
“Kjo tregon se administrata e Trumpit u frustrua aq shumë sa ndjeu se duhej të ndërmerrte veprime, sepse deklaratat publike nuk mjaftonin për ta rikthyer marrëdhënien siç donte”.