Ka mundësi që Artane Rizvanolli e ka të pamundur të flasë publikisht pa gënjyer.

Edhe një herë tjetër ka tentuar të manipulojë me shifrën e blerjes së rrymës, duke mohuar se Kosova ka tregtuar rrymë afër 1 miliardit, siç është dëshmuar në të dhëna zyrtare të doganës.

Arsyetimi i ri, apo i vjetër i saj, është se po numërohet edhe shifra e tranzitit të rrymës kur po kalkulohet shifra e përgjithshme e importimit të rrymës.

“Shifrat e importit të doganës, të cilave i referohen, pothuajse të gjitha e përfshijnë edhe energjinë që kalon transit nëpër Kosovë.” Deklaron Rizvanolli

Le t’i shohim faktet.

Së pari, sipas Udhëzimit Administrativ MF Nr. 03/2015, për TVSH-në, konkretisht Neni 28, thuhet se vendi i importimit të mallrave është në Kosovë vetëm atëherë kur mallrat lëshohen në qarkullim të lirë në territorin e Kosovës.

Pra, importi dhe tranziti nuk janë e njëjta gjë. Dhe as nuk regjistrohen në vendin e njëjtë. Nuk figurojnë njëjtë.

Së dyti, edhe Kodi Doganor dhe i Akcizave Nr. 08/L-247 bën dallim të qartë ndërmjet importit dhe tranzitit. Import janë mallrat që hyjnë në Kosovë, i nënshtrohen procedurave doganore dhe vendosen në qarkullim të lirë në Kosovë.

Tani të shohim procedurën për import të rregullt.

Dokumentet doganore e përshkruajnë qartë se importi i rregullt nënkupton mallra që kanë hyrë në Kosovë dhe kanë paguar detyrimet doganore.

Dhe në të njëjtin dokument specifikohet qartë regjimi doganor: IM4, pra quhen ato mallra që janë import, që blihen dhe qëndrojnë në Kosovë.

Jo transit. Jo T1. Jo T2.

Vetëm IM4.

Nëse hyjmë pastaj te të dhënat e doganës dhe shkojmë tek importi, më pas tek energjia elektrike, e shohim se regjimi doganor këtu është IM4. Që do të thotë se e gjithë kjo rrymë e blerë nuk është transit, sepse bart kodin që është import i rregullt që do të qëndrojë në Kosovë.

Nëse shifrat e Doganës do të përfshinin edhe energjinë elektrike në tranzit, atëherë ku figuron tranziti në regjimin doganor? Ku është kodi T1, ose T2?

Sepse, bazuar në dokumentet zyrtare, ligjin në fuqi dhe të dhënat publike, ajo që figuron është vetëm IM4. Në të gjitha kolonat ku figuron importimi i rrymës, figuron vetëm kodi IM4, që i referohet mallit që tashmë i përket Kosovës për qarkullim.

Prandaj, edhe një herë: Po, Kosova ka blerë rrymë, pa rrymën e tranzitit, 250 milionë euro vetëm vitin e fundit.

Pra, përveç që e lëshon gënjeshtrën se ajo shifër e paraqet edhe transitin, ajo nuk e ka vetë një shifër të saktë, sepse nuk ekziston shifër tjetër, andaj edhe përgjigjet kështu…

“Shifra reale është diku rreth 30 deri 40% më e ulët, varësisht se cilin vit e shohim.”

Pra, diku… rreth… varësisht… Asgjë e saktë, asgjë e qartë, asnjë shifër.

Pra tenton të hedhë edhe pak mjegull mbi qartësinë e plotë të importit 1 miliardësh për 6 vjet nga qeveria e saj.

Por, derisa ajo nuk lodhet duke gënjyer, as ne nuk do të lodhemi duke e thënë të vërtetën. Dhe e di se do të na duhet ta themi shpesh, sepse zonjës Rizvanolli i ka rënë të gënjejë vazhdimisht.