Ish-Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka njoftuar se Fahrije Hoti, themeluesja e ndërmarrjes “Krusha”, në të cilën janë të punësuara dhjetëra gra, shumica e të cilave kanë humbur burrat nga lufta e fundit në Kosovë, do të jetë kandidate për deputete në zgjedhjet parlamentare të 7 qershorit.
“Një heroinë e gjallë në Kuvendin e Kosovës! Kur një grua vendos të ngrihet, ajo e bën këtë për të gjithë. E fortë si guri, e pastër si loti, punëtore si askush tjetër, krah i përhershëm për gratë, për Krushën dhe për gjithë Kosovën – e pas 7 qershorit, Fahrije Hoti, deputete e Kuvendit, në përfaqësim të secilit prej jush”, shkroi Osmani në Facebook të hënën.
Ajo theksoi se Fahrija “po i bashkohet rrugëtimit tonë politik, sepse ne besojmë në një Kosovë ku dashuria e mund urrejtjen, integriteti dhe puna e ndershme e mundin manipulimin, dhe e vërteta e mund propagandën”.
“Këtë forcë e kemi dëshmuar bashkë edhe përballë Vuçiçit në Këshillin e Sigurimit, në Parlamentin Evropian dhe kudo tjetër — me dinjitet, me të vërtetën tonë, me zërin e grave që nuk heshtin. Do ta dëshmojmë sërish, bashkë. Na priftë e mbara, e dashur Fahrije!”, potencoi ish-Presidentja.
Osmani nuk ka treguar se në cilën listë do të garojë ajo dhe Hoti, edhe pse së fundmi është duke zhvilluar negociata me Lidhjen Demokratike të Kosovës, ish-partisë së saj.
Rikthimi i Osmanit në skenën politike aktive vjen pas përfundimit të mandatit të saj 5-vjeçar si Presidente.
Ajo kishte shprehur publikisht ambicien edhe për një mandat në krye të shtetit, por që nuk u rikandidua nga Lëvizja Vetëvendosje.









