Andrei Belousov, ministri rus i mbrojtjes, ka deklaruar se ekzistojnë fakte se NATO po përgatitet për luftë me Rusinë dhe ka synime që kapacitetet për ta bërë këtë t’i arrijë deri në fund të vitit 2029 ose në fillim të vitit 2030.
Bazuar në raportimet e Interfax, Belousov deklaroi kështu gjatë një takimi të Bordit të Ministrisë ruse të Mbrojtjes, gjatë të cilit theksoi faktin se NATO po rrit dukshëm gatishmërinë e saj ushtarake.
Belousov po ashtu tha se shpenzimet e vendeve anëtare të NATO-s në sektorin ushtarak janë rritur ndjeshëm, me shifrën e këtyre investimeve që aktualisht shkon në 1.6 trilionë dollarë në vit. Jo vetëm kaq, pasi ka synime që këtë shifër të shkojë edhe më lartë nëpërmjet planifikimeve për dedikimin e 5% të BPV-së në mbrojtje nga të gjitha vendet anëtare, gjë që mund ta çojë vlerën në 2.7 trilionë dollarë.
“Sipas analizës së situatës ushtarako-politike, të gjitha këto tregojnë se NATO po përgatitet për një konfrontim ushtarak me Rusinë”, citohet të ketë thënë Belousov, sipas Interfax.









