Kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku, është liruar në procedurë të rregullt nga organet e rendit pas intervistimit të tij, i cili zgjati rreth një orë.
Lushtaku shkoi të premten në Stacionin e Policisë në Skenderaj për t’u intervistuar në lidhje me incidentin që u përfshi me kryetarin e degës së VV-së në Skenderaj, Hysni Mehani.
Kryetari i Skenderajt u intervistua nga hetuesë që erdhën nga Prishtina.
Në mbështetje të Lushtakut, para stacionit policor u mblodhën qindra qytetarë.
Pasi doli nga stacioni i policisë, ai tha se gjithçka që ka ndodhur këto dy ditë është politike, derisa i kërkoi Kryeministrit në detyrë, Albin Kurti që mos ta përdor pushtetin “për qëllime të veta”.
“I bëjmë thirrje nga këtu, mos ta përdorë pushtetin, mos ta përdorë policinë, mos ta përdorëë prokurorinë, mos ta përdorë gjykatën. Krejt kjo që ka ndodh është politike. Albin Kurti do që përmes aksioneve të tilla të viktimizohet. Në kushte normale nuk do të isha intervistuar”, shtoi.
Ai kritikoi dërgimin e Njësisë Speciale Operative në Skenderaj në orët e vona të së enjtes.
“Është tepër e rëndë për qytetarët e Skenderajt, nuk e meritojnë as komunat e tjera që njësitë speciale me armë të gjata ta provokojnë qytetarin e këtij vendi që kanë dhënë shumë për Kosovën. Besoj që nuk duhet me shku kerku pa arsye e pa nevojë. Ata janë policë të Kosovës që i respektojmë shumë”, shtoi Lushtaku.









