60 kilogramë substancë narkotike të llojit marihuanë janë konfiskuar dhe katër persona janë arrestuar në një aksion policor të enjten.
Në njoftimin e Sistemit Prokurorial, bëhet me dije se aksioni është zhvilluar nga Prokuroria Themelore në Prishtinë në bashkëpunim me Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (AKI) dhe Policinë e Kosovës, përkatësisht Drejtorinë për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë në Prishtinë, pas zhvillimit të hetimeve disa mujore, si dhe zbatimit të masave të veçanta hetimore.
Operacioni është zhvilluar në dy lokacione në Komunën e Prishtinës dhe në fshatin Babush të Komunës së Ferizajt, ku si rezultat janë sekuestruar rreth 60 kilogramë substancë narkotike të dyshuar të llojit marihuanë.
Lidhur me këtë rast janë arrestuar katër (4) persona të dyshuar, prej të cilëve një (1) shtetas i Kosovës, dy (2) shtetas të Serbisë dhe një (1) shtetas i Shqipërisë.
Të dyshuarve, me aktvendim të Prokurorit të Shtetit, u është caktuar masa e ndalimit për 48 orë, për shkak se të njëjtit dyshohen për kryerjen e veprës penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge’’, nga neni 267 paragrafi 3, lidhur me nenin 275 paragrafi 1.9 të Kodit Penal të Kosovës.
“Gjatë këtij aksioni janë sekuestruar: Rreth 60 kilogramë substancë narkotike të dyshuar të llojit marihuanë, dy (2) vetura, dhe një (1) kamion”, theksohet aty.
Në njoftim thuhet se prokurori i Shtetit, brenda afatit ligjor do të parashtrojë kërkesë për caktimin e masës për sigurimin e prezencës së të pandehurve në procedurë penale.









