Sekretarja e Përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku, ka thënë se aksioni i deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës para dyerve të Qeverisë nuk ka qenë reagim impulsiv, por një veprim i menduar dhe i diskutuar brenda partisë.

Në një intervistë për Vox Kosova, Çitaku ka thënë se qëllimi i aksionit nuk ka qenë fizikisht ndalimi i Albin Kurtit që të hyjë në objektin e Qeverisë.

“Ne e dimë që ne fizikisht e kemi të pamundur ta ndalojmë Albin Kurtin të hyjë në këtë objekt, sepse ka edhe hyrje të tjera të fshehta të cilat po i përdor tani për tani për të hyrë në zyrën e Qeverisë”, ka thënë Çitaku.

Sipas saj, qëllimi i PDK-së është sensibilizimi i opinionit publik për situatën politike në vend.

“Qëllimi ynë është që të sensibilizojmë opinionin publik. Kosova po kalon ditët e saj më të errëta që nga shpallja e Pavarësisë, që nga çlirimi. Kosova është në një territor tërësisht jashtëkushtetues”, ka deklaruar ajo.

Çitaku ka paralajmëruar se aksioni para Qeverisë dhe përpjekjet për thirrjen e seancave në Kuvend janë vetëm fillimi.

“Kjo që po e bëjmë këtu para Qeverisë dhe seancat që po i ftojmë në Kuvend janë vetëm hapi i parë. Ne do të vazhdojmë, do t’i intensifikojmë veprimet, do të ndërmarrim edhe masa tjera dhe nuk do të ndalemi”, ka thënë ajo.

E pyetur nëse dalja e përditshme e PDK-së para Qeverisë ishte një strategji e mirëmenduar apo një reagim ndaj kritikave se opozita ka qenë e lodhur gjatë viteve të fundit, Çitaku ka thënë se aksioni është diskutuar paraprakisht në Kryesinë e partisë.

“Jo, ka qenë e menduar. Ne e kemi diskutuar në mbledhjen e Kryesisë. Nuk ka qenë reagim impulsiv”, ka deklaruar Çitaku.

Ajo ka thënë se PDK-ja do të preferonte të ishte në Kuvend duke diskutuar për ligje dhe për problemet e qytetarëve.

“Ne me qejf e me dëshirë do të ishim në Kuvend duke debatuar për ligje, duke diskutuar për hallet e qytetarëve të Kosovës, për atë jemi zgjedhur. Nuk jemi zgjedhur ne për të protestuar”, ka thënë ajo.

Megjithatë, Çitaku ka akuzuar Kurtin se ka “suspenduar demokracinë” dhe jetën parlamentare.

“Fatkeqësisht Albin Kurti e ka suspenduar demokracinë, e ka suspenduar jetën parlamentare dhe ka uzurpuar çdo gjë. Nuk do të ndalemi e as nuk do të lodhemi”, është shprehur ajo.

Çitaku ka thënë se PDK-ja po zhvillon takime edhe në terren dhe se, sipas saj, qytetarët janë të shqetësuar për situatën aktuale.

“Qytetari i Kosovës është i shqetësuar, është i brengosur dhe ne kemi marrë mbështetje nga struktura jonë. Dhe, thënë të drejtën, na kërkohet edhe më shumë”, ka deklaruar sekretarja e Përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku, në intervistën për Vox Kosova.