Blerim Haxhiaj nuk do të jetë më ushtrues detyre i Kryeredaktorit të kanaleve televizive në gjuhën shqipe në Radio Televizionin e Kosovës (RTK).
Sipas një e-maili të brendshëm, të publikuar nga Gazeta Express, ushtruesi i detyrës së Drejtorit të Përgjithshëm të RTK-së, Rilind Gërvalla, ka njoftuar se nga 4 gushti 2026 në këtë pozitë është caktuar Venera Xhoxhaj Adili.
“Duke filluar nga sot, 4.08.2026, ftohen të gjithë kolegët që të bashkëpunojnë ngushtë me znj. Xhoxhaj Adili”, thuhet në e-mailin e Gërvallës.
Sipas të njëjtit njoftim, 31 korriku ka qenë dita e fundit e Haxhiajt në detyrën e ushtruesit të detyrës së Kryeredaktorit.
Haxhiaj largohet nga kjo pozitë, ndërsa emri i tij ka qenë së fundmi në qendër të raportimeve për përfitime nga fondet publike. Vox Kosova ka raportuar se Haxhiaj dhe bashkëshortja e tij, Elmaze Nura, kanë përfituar rreth 230 mijë euro nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit që nga viti 2021, përmes projekteve individuale dhe organizatave ku janë të angazhuar.
Vetëm në vitin 2025, organizata “CULT CLUB”, e drejtuar nga Elmaze Nura dhe ku në bord është edhe Blerim Haxhiaj, ka përfituar 100 mijë euro nga MKRS-ja për programin e punës për vitet 2025, 2026 dhe 2027.
RTK nuk ka bërë të ditur arsyet e zëvendësimit të Haxhiajt në pozitën e ushtruesit të detyrës së Kryeredaktorit.









