Arben Mustafa, deputet i Partia Demokratike e Kosovës, ka akuzuar Qeveria Kurti për thellim të krizës ekonomike në vend, duke thënë se po neglizhon rritjen e çmimit të naftës dhe po rëndon qytetarët me taksa të larta.

Në një konferencë për media, Mustafa deklaroi se prioritet i kësaj qeverie, sipas tij, është vetëm mbledhja e taksave, të cilat më pas përdoren për qëllime elektorale.

“Sot, për çdo litër naftë, shteti merr rreth 60 centë taksa: 36 centë akcizë dhe 24 centë TVSH. Pra, kur një qytetar furnizohet me naftë, në çmimin prej 1.80 euro për litër, nuk paguan vetëm çmimin e naftës, por i paguan edhe shtetit 60 centë taksa. Kjo është një barrë që duhet të lehtësohet në këtë kohë krize”, tha ai.

Sipas Mustafës, heqja e përkohshme e këtyre taksave, qoftë edhe pjesërisht, do të sillte ulje të menjëhershme të çmimit dhe do të ndihmonte në frenimin e rritjes së përgjithshme të çmimeve.

“Rritja e çmimit të naftës nuk prek vetëm ata që furnizohen në pompë. Ajo rrit shpenzimet e transportit, të prodhimit dhe, rrjedhimisht, çmimet e të gjitha produkteve që konsumojmë”, theksoi ai.

Ai paralajmëroi se në prag të sezonit bujqësor, kjo situatë po i godet drejtpërdrejt bujqit, duke rritur kostot e prodhimit dhe çmimet për konsumatorët.

Mustafa kërkoi masa urgjente nga Qeveria, përfshirë uljen e taksave për derivatet, subvencione shtesë për bujqit dhe prodhuesit vendorë, si dhe një plan emergjent anti-inflacion.

“Një plan emergjent, të qartë dhe të matshëm, për përballimin e rritjes së çmimeve, që garanton stabilitet për familjet dhe bizneset”, u shpreh ai.

Në fund, deputeti i PDK-së bëri thirrje që institucionet të fokusohen në menaxhimin e krizës ekonomike dhe mbështetjen konkrete të qytetarëve, duke shtuar se energjia nuk duhet të shpenzohet në thellim të krizave politike, por në zgjidhje për ekonominë.