Dy vrasje kanë ndodhur gjatë natës së 27 majit në Kosovë, një në Prishtinë dhe një tjetër në Mitrovicë. Të dyja rastet kanë përfunduar me fatalitet.
Në Prishtinë, sipas raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës, një person është vrarë me armë zjarri, ndërsa i dyshuari ndodhet ende në arrati.
“Është raportuar për të shtëna me armë zjarri ku si pasojë viktima mashkull kosovar është qëlluar nga i dyshuari mashkull kosovar, i cili është larguar në drejtim të panjohur dhe ndodhet në kërkim policor. Të gjitha njësitë përkatëse kanë dalë në vendin e ngjarjes, si dhe mjeku kujdestar, i cili ka konstatuar vdekjen e viktimës. Me vendim të prokurorit, trupi i pajetë është dërguar në IML për obduksion”, thuhet në raportin e Policisë.
Ndërkohë, një tjetër ngjarje e rëndë është regjistruar në Mitrovicë, ku një person ka humbur jetën si pasojë e plagëve të marra në fyt nga arma e ftohtë, ndërsa një tjetër person ka mbetur i plagosur. Në këtë rast, i dyshuari është arrestuar nga autoritetet.
“Prokuroria Themelore në Mitrovicë njofton opinionin publik se mbrëmjen e 27 majit 2026, në Lagjen e Romëve në Mitrovicë, ka ndodhur një vrasje e rëndë, ku si pasojë e plagëve të marra në fyt nga një armë e ftohtë – thikë, një person i gjinisë mashkullore ka humbur jetën, ndërsa është plagosur edhe vëllai i tij”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Pavarësisht këtyre dy rasteve fatale, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, nuk ka reaguar publikisht.
Madje, mëngjesin e së enjtes ai është parë së bashku me një patrullë të Policisë së Kosovës gjatë një aksioni në Komunën e Zveçanit.
Sipas kompetencave zyrtare, ministri i Punëve të Brendshme nuk ka rol operativ në daljet në terren me Policinë e Kosovës, institucion ky që konsiderohet i pavarur nga Qeveria.









