A ekziston drejtësia, nëse ajo fshihet?
Në Hagë, në sallën e këtij objekti, procesi gjyqësor kundër krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, u zhvillua pothuajse në fshehtësi – duke shkelur kështu brutalisht të drejtat e njeriut dhe konventat ndërkombëtare.
Dokumentet e redaktuara për mbrojtjen dhe seancat e mbyllura për publikun – janë simbol i dukshëm i një procesi politik – për ta kontrolluar maksimalisht narrativen dhe për ta evituar sa më shumë kontrollin demokratik.
Në Dhomat e Specializuara të Kosovës, Prokuroria ka paraqitur 263 dëshmitarë.
Prej tyre, 138 janë dëshmi të dorëzuara me shkrim – për të cilat publiku nuk di absolutisht asgjë, ndërsa rreth 70 të tjerë janë paraqitur në seanca të mbyllura.
Vetëm rreth 50 dëshmitarë kanë qenë të hapur për publikun.
Me rreth 80% të dëshmive – në seanca dhe me shkrim – të mbajtura fshehtë, Gjykata Speciale, pa mbikëqyrjen e askujt, ka pasur lirinë të veprojë pa vëmendjen e opinionit dhe ta shmangë debatin publik për kredibililtetin e këtij procesi gjyqësor.
Imagjinojeni… ditën kur do të shpallet vendimi për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin e Rexhep Selimin. Ose, një situatë hipotetike kur ata edhe dënohen. Qytetarët e Kosovës nuk do ta dinë pse u dënuan luftëtarët e lirisë dhe udhëheqësit e shtetit të tyre. Sepse, me mbylljen e seancave – u përjashtuan nga mundësia për ta kuptuar vërtetësinë e provave, besueshmërinë e dëshmitarëve, metodat e prokurorëve, pozicionimin e gjyqtarëve, dhe argumentimet e ekipeve mbrojtëse.
Ky ishte një proces gjyqësor që ia përplasi dyert publikut.
Dhe, kjo është një Gjykatë që ia shkelmoi parimet universale drejtësisë.
Çdo i akuzuar, kudo në botë, e ka të garantuar të drejtën për një gjykim të hapur.
Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut, në Nenin 10, dhe Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut, në Nenin 6, garantojnë qartë të drejtën për gjykim publik.
Në gjykimin ndaj krerëve të UÇK-së, kjo e drejtë nuk u garantua. Mbyllja mori përmasa që tejkalojnë çdo arsyetim të pranueshëm.
Për këtë… ishte i vetëdijshëm edhe Kryetari i Panelit të Gjykatësve, Charles Smith.
Por, kjo deklaratë e tij, e dhënë në fillim të procesit, tashmë kur seancat gjyqësore kanë marrë fund, qartësisht kuptohet se ishte vetëm një farsë e tij. Njësoj siç ishte krejt rrugëtimi i Gjykatës Speciale. Një farsë.
Procesi kundër krerëve të UÇK-së në Hagë konsiderohet si Gjykim Politik.
E gjykimet politike, me seanca të mbyllura, janë një fenomen i njohur sidomos në shtete autoritare ose gjysmë-autoritare.
Shembujt nga historia tregojnë se në këto raste të gjykimeve politike – vendimi është marrë para se të fillojë procesi.
I njëjti rrëfim është edhe me Gjykatën Speciale.
Veç kujtojeni pak… deklaratën skandaloze të ish Prokurorit Jack Smith, para diplomatëve të Bashkimit Europian, kur vetëm një muaj pas arrestimit të krerëve të UÇK-së, tha se ata do të dënohen me burgim të përjetshëm.
Por, pse u mbyll kaq shumë Gjykata Speciale?
A u frikësua që shfaqja e një gjykimi të hapur mund të tregonte dobësi të provave dhe ekzagjerim të lëndës, dhe rrjedhimisht zgjodhi mbylljen për ta shmangur ballafaqimin me publikun, mediat e organizatat ndërkombëtare – të cilat do të mund të vinin në pikëpyetje drejtësinë e kësaj Gjykate?
Me këtë avantazh total, Dhomat e Specializuara në Hagë rritën rrezikun për manipulim të procesit.
Drejtësia e fshehtë, siç dihet, çon në padrejtësi të fshehtë.
Dhe kjo… po shihet hapur.