“Në këtë konstelacion forcash, jemi të palëkundur se me kë e shohim partneritetin për Kosovën”, deklaroi Faton Peci për koalicionin e Guxo me Vetëvendosjen e Albin Kurtit.
Por ky “partneritet i palëkundur” e ka lëkundur vetë Listën Guxo. Afrimi i vazhdueshëm me Kurtin dhe largimi nga fryma fillestare politike kanë prodhuar përçarje brenda një subjekti që edhe ashtu kishte strukturë të brishtë.
Pozicionimi i Vjosa Osmanit pranë LDK-së nuk është pritur njësoj nga të gjithë brenda Guxo-s.
“Ju ftoj që të bashkoheni në këtë mision, sepse rrugët që mbyllen nga padrejtësitë, gjithmonë hapen nga populli”, kishte deklaruar ish-Presidentja Osmani.
Osmani ka mobilizuar një pjesë të figurave që dikur u rreshtuan pas saj politikisht.
Jeta Statovci, Haxhi Avdyli, Burim Meta edhe Albena Reshitaj, tashmë po shihen afër krahut të Osmanit.
Tensionet mes këtyre dy grupeve po bëhen edhe më të dukshme
“Unë po i ftoj Vetëvendosjen, bëni luftë të ndershme sepse nëse doni luftë, luftë keni me pas”, tha ish-deputeti i Listës Guxo, Haxhi Avdyli në Kanal 10.
Në ndërkohë, Kurti po tenton të minimizojë fuqinë e Vjosa Osmanit e bashkimin e saj me Lumir Abdixhikun.
“Njerëzit kanë dëshira dhe kjo është normale, por s’duhet të ngatërrohen dëshirat me faktet”, shtoi Kryeministri në detyrë gjatë një përurimi të rrugës në Malishevë.
Në anën tjetër, besnikë të linjës së bashkëpunimit me Kurtin kanë mbetur dy bashkëkryetarët e Guxo-s, Donika Gërvalla dhe Faton Peci, dhe profesori i kontestuar nga Parisi, Nezir Krakin.
Kur një parti që u krijua në emër të “guximit për ndryshim” përfundon e ndarë mes dy kampeve politike, mbetet pyetja nëse Guxo vazhdon të ketë një identitet të vetin politik, apo tashmë është shndërruar vetëm në një satelit mes Osmanit dhe Vetëvendosjes.








