Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Janina Ymeri, ka deklaruar se nuk do ta votojë Bekim Sejdiun për president, duke e cilësuar një gjë të tillë si “zgjatje të pushtetit” të Albin Kurtit.

Në facebook Ymeri ka përdorur akuza të ashpra ndaj kryeministrit në detyrë, duke e cilësuar atë “argat të mafisë energjetike”.

“Një kryeministër si Albin Kurti është argat i mafisë energjetike. Edhe sot, me gjithë pasojat për pozitën time brenda partisë, vendos të mos e votoj zgjatjen e pushtetit të tij”, ka shkruar Ymeri.

Ajo e ka cilësuar pushtetin e Kurtit si “të komprometuar dhe antikombëtar”.

Duke folur për kandidatin për president, deputetja e LDK-së ka thënë se Bekim Sejdiu nuk ka profilin dhe pavarësinë e nevojshme për të krijuar balancë pushteti ndaj Vetëvendosjes.

“Kandidati për President, në anën tjetër, nuk kishte as profil e as pavarësi që të sillte balancë pushteti dhe forcë ndaj kapjes nga Vetëvendosja”, ka deklaruar ajo.

Ymeri ka thënë se do të vazhdojë të qëndrojë për Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe Republikën e Kosovës.

“Do të qëndrojmë për Lidhjen Demokratike të Kosovës. Për Republikën tonë!”, ka përfunduar Ymeri.