Lëvizja Vetëvendosje edhe kësaj radhe ka marrë anë në zgjedhjet e Maqedonisë së Veriut. Ata janë rreshtuar përsëri me koalicionin “VLEN” – përfaqësuesit e shqiptarëve në Qeverinë e RMV-së – të cilëve u kanë thënë se Qeveria e Kosovës është me ta.
Në konventën promovuese që “VLEN” e mbajti të martën në Arenën “Boris Trajkovski” në Shkup, mori pjesë Ministri në detyrë i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, i deleguar nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti.
“Këtë tetor, shqiptarët në të dy anët e kufirit marrin pjesë në zgjedhje vendimtare lokale. Në Kosovë votohet më 12 tetor, dhe atje Vetëvendosja është ajo që VLEN. Këtu votohet më 19 tetor, dhe këtu VLEN-i ju. VLEN është forca juaj”, tha Durmishi në fjalën e tij në konventë.
Qeveria e Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje, Durmishi iu tha se “është me ju: politikisht, kombëtarisht dhe njerëzisht”.
“Dhe për fund: keni të fala të përzemërta nga Kryeministri Albin Kurti, i cili për shkak të vizitës në SHBA nuk pati mundësi të ishte edhe fizikisht këtu me ju”, potencoi ai ndër të tjera.
Lëvizja Vetëvendosje edhe në zgjedhjet parlamentare të majit 2024, e kishte mbështetur hapur VLEN-in dhe ishte rreshtuar kundër Bashkimit Demokratik për Integrim të Ali Ahmetit.
Pjesëtarë të shoqërisë civile, njohës të zhvillimeve politike në rajon e opozita në Kosovë e kishin kritikuar VV-në për “përçarje” të faktorit shqiptar në RMV.