Prokuroria Speciale e Kosovës dhe Kryeprokurori i saj, Blerim Isufaj, i kanë cilësuar deklaratat e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, rreth Isufaj si të pavërteta dhe që “nuk mbështeten në fakte apo procedura zyrtare institucionale”.

“Prokuroria Speciale dhe Kryeprokurori i saj, z.Blerim Isufaj, nuk komentojnë deklarata me karakter politik, veçanërisht në rastet kur ato janë të pavërteta dhe nuk mbështeten në fakte apo procedura zyrtare institucionale”, ka njoftuar Prokuroria Speciale.

Kurti deklaroi të hënën e 18 majit se Blerim Isufaj nuk duhet të bëhet Kryeprokuror i Kosovës.

“Duhet edhe një Kryeprokuror i ri, por jo Blerim Isufaj. Unë s’po them kush duhet të jetë, por kush s’duhet. Pse mos ta them unë. A e kuptoni se në çfarë gjendje jemi për shkak të një personi. Sa i përket Prokurorisë, shumica e problemeve kanë qenë të veçanta, Blerim Isufaj”, ka deklaruar i pari i Lëvizjes Vetëvendosje.