Eskorta e Presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, është bllokuar për një orë në rrugën nga Aeroporti i Prishtinës deri në qendër të kryeqytetit, pasi që një grup i të rinjve kanë dalur në rrugë për të protestuar në lidhje me vendimin dënues të Gjykatës Speciale për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Siç mëson VOX Kosova, protestuesit i kanë bllokuar disa dalje të rrugëve, por me intervenimin e Policisë janë hapur.

Von der Leyen u prit edhe në Aeroportin e Prishtinës me protesta nga disa të rinj.

Ata mbanin në duar pankarta me mbishkrimin: “Jo në emrin tim”, “Liria ka Emër UÇK”, “Today Thaçi, Tomorroë Zelenskyy” (Sot Thaçi, nesër Zelenskyy), “EU, you have betrayed us” (Evropë, ti na ke tradhtuar).

Këto protesta simbolike po mbahen pasi që Specialja dënoi me 81 vjet burg gjithsej ish-krerët e UÇK-së – Hashim Thaçin me 25 vjet, Jakup Krasniqin me 25, Kadri Veselin me 18 dhe Rexhep Selimin me 13.

Von der Leyen po viziton këtë të enjte Kosovën në kuadër të turit të saj rajonal.

Në Prishtinë, Presidentja e Komisionit Evropian pritet të takojë krerët e institucioneve, duke përfshirë ushtruesen e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, dhe Kryeministrin Albin Kurti.

Të martën, von der Leyen ishte në Tiranë. Ndërsa, pas Kosovës ajo do vizitojë Malin e Zi dhe më 2 tetor do udhëtojë për në Shkup të Maqedonisë së Veriut.